Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Lajmi u bë i ditur të hënën nga kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Nagavci njoftoi se përveç kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit, partia i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese edhe pezullimin e përkohshëm të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Sipas saj, presidentja nuk ka kompetencë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ. “Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë të ndërhyjë në funksionimin e Kuvendit, aq më pak të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e tij”, shkroi Nagavci.
Presidentja Vjosa Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një hap që mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithatë, zgjedhjet ende nuk janë shpallur zyrtarisht.
Sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë, Osmani e arsyetoi vendimin duke thënë se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa mandati i saj përfundon më 4 prill. Sipas saj, deputetët nuk arritën t’i përmbushin afatet e përcaktuara me ligj.
Nga ana tjetër, Nagavci argumentoi se roli i presidentit në këtë proces aktivizohet vetëm në rrethana të përcaktuara qartë nga Kushtetuta. Ajo shtoi se ushtrimi i kompetencave që nuk janë të përcaktuara qartë nga Kushtetuta mund të dëmtojë rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Lini një Përgjigje