
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë dhënë dritën e gjelbër Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për blerjen e helikopterëve ushtarakë “Balck Hawk”. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjatë një vizite të tij në ShBA-së.
“Në fazën e tretë të tranzicionit ku do të kërkohen sisteme më të avancuara sidomos të mbështetjes ushtarake, që nënkupton helikopterë radarë të mbrojtjes ajrore. Dhe kemi marrë mbështetje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin Republikën e Kosovës në ndërtimin e këtyre kapaciteteve”, ka deklaruar Maqedonci.
Ministri madje i bëri një vizitë edhe fabrikës “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët “Black Hawk”.
Përveç helikopterëve, FSK këtë vit do të furnizohet edhe me pajisjen anti-tank Javelin me një numër të konsiderueshëm prej tyre.
Lidhur me këtë hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka thënë për Telegrafin se kjo është arritja më e madhe e Kosovës.
Fetoshi thekson se ky hap është një element kyç në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili përforcon aftësitë e saj për të mbrojtur vendin dhe rajonin.
“Avancimi i kapaciteteve të FSK-së me helikopterët amerikanë “Black Hawk” është një zhvillim tejet i rëndësishëm për konsolidimin e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Fetoshti duke shtuar se “veprimet e koordinuara me partnerët e NATO-s në tranzicionin e FSK-së, jo vetëm që i kanë demantuar skeptikët, por janë konfirmuar si domosdoshmëri për ngritjen e aftësive mbrojtëse në një mjedis gjithnjë e më të sfiduar të sigurisë”.
Çfarë janë helikopterët “Black Hawk”?
Helikopterët “Black Hawk” janë helikopterë ushtarakë shumëfunksionalë të prodhuar nga kompania amerikane Sikorsky Aircraft, dhe janë përdorur gjerësisht nga ushtritë e shumë vendeve të botës.
Disa specifika kyçe për helikopterët “Black Hawk” janë: Transporti i trupave, evakuim, kërkim-shpëtimi, mbështetje ajrore me armë, transporti i ngarkesave
Mund të transportojë rreth 12 ushtarë të armatosur, ose 2,600 kg ngarkesë të pajisjeve dhe armëve. Ka një sistem të avancuar navigimi dhe komunikimi.
Funksionin me dy motorë. Mund të pajiset me armë automatike dhe raketa, si dhe mund të mbajë deri në dy mitralozë për mbrojtje.
“Black Hawk” është përdorur për dekada nga ushtria amerikane, si dhe nga shumë aleatë të saj, përfshirë shumë shtete të NATO-s.
Helikopterët “Black Hawk” janë të njohur për qëndrueshmërinë e tyre, fleksibilitetin dhe aftësitë e shumta që mundësojnë operacione të ndryshme ushtarake, duke e bërë këtë model të një helikopteri kyç në arsenalin e ushtrive moderne.
Lini një Përgjigje