
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hapur një “front lufte” me vëllezërit Devolli, biznesmenët e njohur nga Kosova. Duke folur dje gjatë fushatës në Pejë, Kurti i ka sulmuar ata indirekt.
Kurti tha se nuk do të kemi më biznesmenë që u pasuruan nga tranzicioni apo nga koha e klanit “Pronto”. Kurti ka thënë se më mirë dhe ma ndershëm është të rregullosh rrota të biçikletave, si Ibrahim Devolli, dhe jo si djemtë e tij, që e regjistrojnë biznesin në Serbi dhe Maqedoni, në emër të tjetërkujt, për të ardhur si të huaj në Pejë dhe në Kosovë.
“Jo më asi biznesmenësh që milionin e parë e kanë nga koha e Serbisë apo nga koha e klanit “Pronto”. Sipas tij, Republika e Kosovës ka nevojë për biznesmenë patriotë, që thonë Peja Republika e Kosovës, Gjakova –Republika e Kosovë dhe jo kurrë “Peç Srbija”, apo “Djakovica SrbiJa”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij në Pejë.
Por ndaj tij reagoi grupi Devolli. Në një deklaratë mediatike thuhet se nga tradita demokratike në Kosovë, në Evropë dhe gjithandej botës, gjatë zgjedhjeve janë qeveritë ato që duhet të japin llogari për punët që kanë bërë, apo që nuk i kanë bërë. Sipas saj, qeveritë përgjigjen përpara popullit, kompanitë private përgjigjen përpara ligjit, por jo para qeverive.
“Megjithatë, meqë Albin Kurti e ftoi Devollin në këtë ballafaqim të pavend dhe të panevojshëm, jemi të detyruar t’i themi se me punën tonë të pandërprerë dhe të përkushtuar, NE punësojmë mbi 15 mije familje të Kosovës, mirëqenia e të cilave, jetesa e tyre e përditshme, të ardhurat dhe shkollat e fëmijëve të tyre, varen direkt apo indirekt nga puna jonë. T’i kërcënosh mbi 15 mijë punëtorë, fermerë dhe kontraktorë, është diçka e pandershme dhe shumë e ulët që nuk duhet të kishte ndodhur në këtë fushatë zgjedhore.
Ne i ndjekim çdo ditë zgjedhjet që zhvillohen në Evropë dhe në Amerikë, por askund nuk kemi parë Presidentë apo Kryeministra të sulmojnë kompanitë private. Përkundrazi, të gjithë liderët e botës së qytetëruar i ndihmojnë biznesit, në mënyrë që biznesi të ndihmojë popullin dhe ekonominë. Si përfundim duam ta garantojmë Albin Kurtin dhe të gjitha partitë politike në këto zgjedhje, se e vetmja gjë që na intereson, është ekonomia e Kosovës dhe mirëqenia e popullit. Për këtë qëllim jemi gati të bashkëpunojmë me të gjithë, pavarësisht flamurit partiak”, reagoi kompania.
Lini një Përgjigje