Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç i kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i sanksionuar nga SHBA-ja ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kurti, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ka përmendur grupet kriminale në Veriun e Kosovës.
Këto mesazhe, Radojçiç i ka parë si “kërcënime nga Kurti”, duke thënë se ai është “okupator”. Deklaratën e tij e ka publikuar Lista Serbe, subjekt politik që ka bojkotuar institucionet e Kosovës në nivel qendror, përpos Kuvendit të Kosovës ku deputetët e kësaj partie vazhdojnë të paraqitën njëherë në gjashtë muaj.
E sipas nënkryetarit të kësaj partie i arratisur, Albin Kurti nuk dëshiron paqe, por konflikte.
”Kërcënimi që i dërguat sot nga Brukseli Listës Serbe dhe në radhë të parë popullit serb tregon qartë se ju, Albin Kurti nuk doni dialog, nuk doni paqe por doni konflikte dhe të hakmereni ndaj atyre që nuk mund t’i bleni e as t’i thyeni. Dhe kjo është arsyeja pse ju shfaqni ankthin dhe fytyrën tuaj të vërtetë para syve të gjithë komunitetit ndërkombëtar sot”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka komentuar bojkotimin e zgjedhjeve nga serbët si një ”argument“ që janë kundër institucioneve të Kosovës.
Ditën e djeshme në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, zhvilluan një takim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që ky takim përfundoi pa sukses.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar menjëherë pas takimit, ndërsa deklaroi se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.
“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar.”, u tha Vuçiç gazetarëve.
Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh ishte zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt.
Nga Kosova është shprehur vazhdimisht përkushtimi për zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të BE-së. Për Kosovën, Aneksi për zbatimin e saj duhet të implementohet në mënyrë të balancuar.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por ngeli në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.
Kurti dhe Vuçiçi janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23 prill në veri të Kosovës dhe të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Që atëherë midis dy vendeve ka pasur tensione dhe kriza.
Lini një Përgjigje