
Kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i është drejtuar me një letër publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Pacolli ka përmendur çarjen e raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe mos-koordinimin e kryeministrit me aleatët.
Kjo thotë ai po ndodh për shkak të kokëfortësisë dhe mungesës së vizionit politik dhe pragmatik të ndërtuar historikisht mbi gënjeshtrat politike të dekadave të fundit me kauza të rreme politike për demarkacion, dialog me Serbinë dhe mbi të gjitha për rrugëtimin shtetformues të Kosovës.
Pacolli theksoi se Kosova ka funksionuar mbi këtë parim të shenjtë të kordinimit me aleatët që është shtylla e pavarësisë dhe lirisë, ndërkaq thotë se moskoordinimi me SHBA-në dhe partnerët evropianë është ahistorik për Kosovën, është e kundërta e asaj që është ndertuar për mbi 3 dekada luftë për liri dhe pavarësi.
“Sot, ju si kryeministër i shtetit më të ri në Evropë, veprimet tuaja ahistorike po e dëmtojnë Kosovën në perspektivë afatgjatë”, deklaron Pacolli në letër.
Pacolli përmend edhe vonesën e hapjes së Spitalit të Fëmijëve në QKUK dhe bllokimin e mjeteve mjekësore në doganë.
“Në dy vitet e fundit kam parë mosfunksionim të shtetit dhe të institucioneve, duke refuzuar bashkëpunimin në interes të Kosovës. Për shkakun tuajin z. kryeministër u vonua hapja e Spitalit të Fëmijëve në QKUK, ku u bllokuan instrumentet mjekësore në doganat e Kosovës, të cilat nuk ishin objekt doganor apo i taksavë, por adresimi i shumë letrave tek ju ra në vesh të shurdhër, sepse nuk kishte asnjë rezultat apo përgjigje fare. Pajisjet ishin dëmtuar nga lagështia në depot doganore dhe ndërrimi i tyre ka qenë i kushtushëm dhe ka shkaktuar vonesa të paarsyeshme”, thotë më tej ai.
Lini një Përgjigje