
Ditën e sotme në orën 15:00 sipas kohës sonë, drejtpërdrejt nga Uashingtoni emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, do të mbajnë diskutim publik lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, në kohën kur dialogu është një prej tri kërkesave të tyre kryesore për të dyja palët.
Në njoftimin që ka lëshuar Këshilli Atlantik thuhet se progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës.
Ky diskutim do të ofrojë njohuri se si SHBA dhe BE synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që Serbia dhe Kosova të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme.
Kujtojmë se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 6 qershor se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja. Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd, ku udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Lajçak dhe Escobar kanë paraqitur tri kërkesa për Kosovën, deeskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja në komunat veriore sa më shpejt dhe rikthimi në dialog.
Serbët, pas thirrjeve të Beogradit, i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kriza në veri, që u përshkallëzua në dhunë, nisi më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Lini një Përgjigje