
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, i mohoi akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.
“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra”, tha Mojsilloviç në një konferencë për gazetarët në Beograd.
“I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina”, theksoi ai.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se Serbia ka planifikuar aneksimin e veriut të Kosovës, përmes sulmit në Banjskë. Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në këtë fshat të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Sveçla tha se Kosova ka dëshmi se grupet e armatosura janë përgatitur dhe stërvitur në bazën stërvitore ushtarake afër Jagodinës në Serbi, si dhe në Kopaonik. U publikuan po ashtu fotografi dhe video, që, sipas policisë së Kosovës, janë incizuar nga dronët dhe janë sekuestruar nga grupi i armatosur në Banjskë.
Serbia i mohon akuzat e Kosovës se është e përfshirë në këtë sulm, të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si akt terrorist. Përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiç, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Mojsilloviç e mohoi se Radoiçiç ka marrë pjesë në stërvitje në bazën “Pasulanske Livade” , afër Jagodinës, në Serbinë qendrore. /REL
Lini një Përgjigje