Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një reagimi në Twitter, ka treguar disa detaje të reja për sulmin terrorist në veri të Kosovës nga serbët.
Sipas Kurtit, në bazë të dokumentacionit të konfiskuar nga Policia e Kosovës, sulmi ishte vetëm një pjesë e planit të serbëve për të aneksuar veriun e Kosovës.
“Në bazë të dokumentacionit të konfiskuar, nga Policia e Kosovës, kanë konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar në 37 pozicione të dallueshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa.”, thotë Kurti në reagimin e tij.
Të dielën kur u bë një javë nga sulmet serbe në Banjskë, Kurti ka shkruar se sulmet ishin të orkestruara nga shteti i Serbisë.
“Ka kaluar një javë nga sulmet tragjike terroriste të orkestruara nga Serbia. Gjatë 7 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të dhunës, kërcënimeve dhe glorifikimit të akteve të tilla. Gjatë kësaj kohe, ne vlerësojmë thellësisht mbështetjen e aleatëve tanë në luftën tonë kolektive për demokraci”, ka thënë ai.
Në këtë sulm të armatosur kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e ishin plagosur disa zyrtarë të tjerë policorë, ndërsa janë vrarë të paktën tre serbë të armatosur.
Lini një Përgjigje