TAGS-AT E JAVËS

Kosova22 Dhjetor 2025, 22:57

Osmani takohet me zv/sekretarin e Shtetit në Uashington, në fokus dialogu Kosovë–Serbi dhe siguria rajonale!

Shkruar nga Pamfleti

Osmani takohet me zv/sekretarin e Shtetit në Uashington, në fokus

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të hënën në Uashington një takim me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ku u diskutuan një sërë çështjesh kyçe për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, në fokus të bisedës ishin një ligj i nënshkruar së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump, situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe nevoja për shtyrjen përpara të dialogut strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, i cili është pezulluar prej disa muajsh.

Takimi u zhvillua në kontekstin e miratimit të Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili u nënshkrua në ligj nga presidenti Trump javën e kaluar. Në këtë akt, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet gjithashtu zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në vitin 2023.

Presidentja Osmani i shprehu Landaut “mirënjohjen e popullit të Kosovës” për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, duke theksuar se politika e Administratës Trump për dialogun Kosovë–Serbi është e qartë dhe e bazuar në parimin e njohjes reciproke.

“Presidentja vlerësoi faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime kufijsh apo ndarje territoriale, duke nënvizuar se kjo qasje është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, Osmani dhe Landau diskutuan edhe për dialogun strategjik Kosovë–SHBA, i cili u pezullua më herët këtë vit për një periudhë të pacaktuar. Pezullimi erdhi pasi Uashingtoni shprehu shqetësime lidhur me disa veprime të Qeverisë në detyrë të Kosovës, veçanërisht për shtrirjen e sovranitetit në veriun e banuar me shumicë serbe pa koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

Në takim u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, vizionin e presidentit Donald Trump për një dialog të bazuar në njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, mbështetjen amerikane për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe rritjen e investimeve strategjike ekonomike në vend.

osmani shba

Lini një Përgjigje