TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Prill 2025, 12:35

Nuk ka 'tym të bardhë' në Prishtinë, Kurti nuk arrin të formojë qeverinë e re; dështon seanca konstituive

Shkruar nga Pamfleti

Nuk ka 'tym të bardhë' në Prishtinë, Kurti nuk

Dështon seanca parlamentare në Kosovë, nuk betohen deputetët

Ka dështuar seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e seancës konstituive, duke thënë se nuk ka shumicë për vijimësinë e tij.

Dehari tha se do t’i drejtohen me një letër presidentes Vjosa Osmani për mënyrën se si do të veprojnë në vijim.

“Detyrohemi të ndërpresim seancën dhe me letër t’i kërkojmë presidentes se si të veprojmë në të ardhmen”, tha ai.

Në seancën konstituive, ishte kuorumi për të vijuar. PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Votimi rezultoi: 52 pro, 46 kundër dhe 11 abstenim.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. Anëtari i Komisionit nga LDK-ja, Aremnd Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit, pasi “nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dorëzuar letrën e dorëheqjes kreut aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kabinetin qeveritar. Në letër thuhet se Kurti dha dorëheqjen me ministrat për të bërë betimin si deputetë të Kuvendit.

"I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar.

Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi", thuhej në letrën e dorëheqjes së Kurtit.

Kuvendi i Kosovës mbajti sot seancën konstituive. Deputetët e legjislaturës së nëntë do të bënin betimin, ndërsa në rend dite ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht nuk i ka 61 vota të konfirmuara për ta bërë shumicën.

Deputeti i listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci akuzoi Listën Serbe dhe partitë e tjera për dështim të seancës konstituive, duke u shprehur se e kishin emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

Peci tha para mediave se janë të gatshëm ta shpalosin emrin “kurdo që vjen koha”.

“Lista Serbe dhe opozita pamundësuan hapin e parë, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit...Në rast se do të verifikoheshin mandatet, ne kemi pasur emrin për kryetar, kurdo që vjen koha e shpalosim”, ka thënë Peci.

Ai njoftoi se ministrat kanë dhënë dorëheqje, por tha se “unë kthehem në zyrë pasi largimi i kryeministrit nga Zyra e kryeministrit dhe largimi i ministrave do të krijonte mundësi për krijimin e një hendeku”, ka shtuar Peci.

Lini një Përgjigje