TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shtator 2024, 15:51

Nuk ka tym të bardhë në Bruksel, dështojnë sërish bisedimet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë

Shkruar nga Pamfleti

Nuk ka tym të bardhë në Bruksel, dështojnë sërish

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Bruksel.

Bislimi u takua dy herë me Lajçakun dhe tha se takimi trepalësh me Petkoviçin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

"Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare", tha Bislimi.

Në takimin dypalësh me Lajçakun, Bislimi tha se temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023.

"Tema kryesore në takim me Lajçakun ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër. Kemi folur edhe për atë se deri ku kemi mbërritur me disa marrëveshje të tjera dhe ku kemi hasur në probleme", shtoi ai.

Për herë të fundit, Bislimi dhe Petkoviç u takuan në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat. /REL

Lini një Përgjigje