
Duket se në Kosovë nuk do të ketë formim të Qeverisë së re.
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka mbyllur derën kryeministrit Kurti për të zhvilluar negociata në lidhje me mundësinë që VV dhe LDK të krijojnë një koalicion së bashku për krijimin e qeverisë së re në vend pas zgjedhjeve parlamentare.
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dërgoi një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa i propozoi një marrëveshje bashkëqeverisëse dhe e ftoi zyrtarisht LDK-në në koalicion.
Në letrën e tij, Kurti shprehu interesin për marrëveshje politike. Sipas tij pavarësisht dallimeve duhet të vendosen interesat e shtetit dhe qytetarëve të para, për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Në këtë letër Kurti pranon se 61 vota përveç formimit të qeverisë, duhet t’i ketë edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Por, kreu i LDK-së ka refuzuar ftesën e Kurtit për bashkëpunim. Në një konferencë për mediat Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se refuzon takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Ai ka propozuar qeveri tranzicioni me të gjitha partitë shqiptare. Abdixhiku shprehet se sot Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale, ndërsa propozon nisjen e një procesi të ri politik.
“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet qe janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacionale… E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti.
Por sot vendi është në krize te thellë institucionale. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale te tranzicionit”, tha ai.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 48 ulëse në Kuvend si partia më e madhe. LDK-ja doli e treta me 20 deputetë. PDK-ja ka 24 deputetë. Nga 15 prilli në 11 tentime Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituojë legjislaturën e nëntë. Ngërçi ka ngelur tek emri i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare. Albulena Haxhiu në asnjë rast nuk ka arritur të marrë më shumë se 57 vota.
Lini një Përgjigje