TAGS-AT E JAVËS

Kosova 7 Korrik 2025, 12:04

Ngërçi në Kosovë, Albulena Haxhiu paralajmëron tërheqjen nga gara për kryetare pas 43 dështimeve

Shkruar nga Pamfleti
Ngërçi në Kosovë, Albulena Haxhiu paralajmëron
Albulena Haxhiu paralajmëron tërheqjen nga gara për kryetare pas 43 dështimeve

Më 7 korrik u regjistrua përpjekja e 43-të e pasuksesshme e deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Sikurse edhe në herët e kaluara, partitë opozitare  përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe, refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Në votim të hapur, ata e kundërshtuan disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë.

Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes që t’i japë fund, siç e quajtën ata, “cirkut politik” – gjë që shtyu kryesuesin e seancës të kërkojë ndërprerjen e fjalës së tyre.

Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, foli pas dështimit të 43-të të konstituimit të Kuvendit. Ajo tha se opozita vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen në votim, duke kundërshtuar ndryshimin e rendit të ditës, çka sipas saj nuk është e vërtetë dhe është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Haxhiu theksoi se në seancë nuk lejohet debat dhe përsëriti se do të tërhiqet nëse nuk merr 61 vota në votimin e fshehtë, duke thënë:

“Së pari ne kemi një komision që po përpiqemi ta formojmë që 35 herë. E dyta është e drejta e VV të bëjë propozimin për kryetar të kuvendit, nëse ne pranojmë që të tjerët të na përcaktojnë emrin e kryetarit të kuvendit, kjo bie ndesh me vullnetin e popullit… nëse në votim të fshehtë nuk i kam 61 vota, kam thënë që tërhiqem. Ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi, por që është respektuar nga VV.”

albulena haxhiu ngërçi në kosovë

Lini një Përgjigje