
Pas konstituimit të Kuvendit, Kosova pritet të hyjë në një krizë të re politike: atë të formimit të qeverisë.
Nesër do të mbahet senca për votimin e qeverisë së re dhe Albin Kurti është në test. Vetëvendosje ka 48 deputetë, ndërsa përkrahje ka edhe nga të paktën shtatë deputetë të komuniteteve pakicë joserbe. Aktualisht, nuk ka informacione për një marrëveshje koalicioni. Njohës të zhvillimeve politike nënvizojnë se sigurimi i votave individuale mund të ndryshojë parashikimet.
10 tetori është data kur u bë konstituimi i legjislaturës së 9-të, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. E gjithë kjo ndodhi 8 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve. Tashmë, vendi ndodhet para një situate tjetër. Mandatari për formimin e qeverisë së re, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nesër duhet të prezantojë para 120 deputetëve kabinetin e ri qeveritar.
Por, për njohësit e zhvillimeve politike, gjasat që Kosova nesër të bëhet me qeveri të re janë minimale.
“Unë nuk pres ndonjë ndryshim të madh nga ajo që kemi parë këta muajt e fundit. Do të jetë një përpjekje të paktën për publikun që zoti Kurti po provon për ta bërë qeverinë, por të tjerët nuk po janë të gatshëm për ta bërë koalicionin. Besoj që kjo është një përgatitje për zgjedhjet e ardhshme sepse as dy partitë e mëdha shqiptare nuk i kanë numrat dhe nuk kanë një marrëveshje mes veti që ta bëjnë Qeverinë”, tha Dritëro Arifi, njohës i proceseve politike, raporton “Telegrafi”.
Lini një Përgjigje