
Vijoni gjyqi për vrasjen makabër të Liridona Ademajt. Në seancën që është ende duke u mbajtur, Naim Murseli është përballur me dëshmitarët, përfshirë kunatin e tij, Leonardin.
Një moment i pazakontë ndodhi kur Naimi, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, iu drejtua vetë Leonardit me pyetjen: “E kam një pyetje për Leonardin. Për 13 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra jote për mua apo për raportin tonë?”.
Leonardi u përgjigj duke i thënë se: “Jo, nuk është ankuar… përveçse disa muaj para se të ndodhte ngjarja. Ishte prekur shumë nga një aferë tradhtie e Naimit me një të afërm. Por ajo vetë e kishte zgjidhur dhe ne nuk e kemi kundërshtuar”.
Në fund të pyetjeve, Naim Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti Ademajn se cilin e beson si më të mundshëm.
“Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”, pyeti Murseli.
Ademaj u përgjigj duke i thënë se "ti i ke thënë babit në shtëpi që ‘ja kam bë një sigurim Liridonës se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’.
“Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë ajo. Për sigurimin, ti e di më mirë, se ia ke bërë asaj, jo vetes. Po ashtu e di mirë kur i ke thënë babit në shtëpi që ‘ja kam bë një sigurim Liridonës se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç versionit të tradhtisë, të dy versioneve të tjera u besoj plotësisht”, tha ai.
Deklarata hodhi dritë mbi një episod të errët të martesës së çiftit, që, sipas dëshmisë, kishte lënë gjurmë emocionale tek viktima, vetëm pak muaj para krimit tragjik.
Lini një Përgjigje