
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rrëzuar propozimin e Edi Ramës që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.
Në një intervistë për median boshnjake “Hayat TV”, Kurti ka sqaruar se nuk ka nevojë për propozime të tilla pasi kjo pjesë është e përcaktuar nga ndërkombëtarët.
Ai shtoi se për të garantuar sigurinë e territorit të Kosovës fillimisht është, Policia e Kosovës, pastaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta nga policia jonë dhe KFOR-i në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është e përcaktuar. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet të ndryshojë”, është shprehur Kurti.
Kujtojmë se kryeministri i Shqipërisë propozoi sot se KFOR duhet ta marrë sa më parë në kontroll veriun e Kosovës, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet dhe të mos ketë më viktima si pasojë e sulmeve. Sipas tij kjo gjë duhet të kishte ndodhur më parë, por megjithatë më mirë pak vonë se sa shumë vonë.
“…Për të parandaluar me çdo mjet këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll Veriun Kosovës. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia. Këtu s’ka rëndësi se kush e kërkon, këtë e kërkon situata. Po të ishte bërë më parë kjo nuk do të kishte ndodhur. Pak vonë sipas meje, por më mirë pak vonë se sa shumë vonë”, tha Rama.
Propozim i Ramës solli dhe shumë reagime kundër. Shumë prej të cilave e lidhnin këtë propozim të njëjtë me atë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç i cili pak kohë më parë kërkoi largimin e Policisë së Kosovës nga Veriu dhe menaxhimin e komunave veriore nga KFOR-i.
“E përsërita kërkesën që sigurinë në veri të Kosovës ta marrin pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitete për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, citohet të ketë thënë Vuçiç.
Këto deklarata duke se shënojnë dhe një herë pikën më të ulët të marrëdhënieve Prishtinë-Tiranë, pas atyre përplasjeve që sollën sanksionimin e Kosovës nga BE.
Dy kryeministrat Rama dhe Kurti pavarësisht deklaratave nëpër media se kanë raporte të mira, treguan dhe një herë se nuk kanë asnjë pikë komunikimi me njëri-tjetrin, pavarësisht nevojës emergjente për të pasur një politikë të përbashkët kundër agresionit të Serbisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje