TAGS-AT E JAVËS

Kosova 1 Shkurt 2024, 16:41

“Kthesë” për vrasjen e Liridonës, Naim Murseli mohon çdo gjë dhe ndryshon dëshminë: Nuk kishte tradhëti

Shkruar nga Pamfleti

“Kthesë” për vrasjen e Liridonës, Naim Murseli mohon

Vrasja e Liridona Ademaj është ende në pikëpyetje, ndërkohë që i dyshuari kryesor si porositës i vrasjes, bashkëshorti i saj, ka ndryshuar sërish dëshminë.

Naim Murseli ka dëshmuar sot para Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, thotë se Murseli ka mohuar të gjithë dëshminë që kishte dhënë më parë në polici dhe po ashtu ka hedhur poshtë edhe të gjitha raportimet se mes çiftit ka patur marrëdhënie të tensionuar për shkak të tradhëtisë.

“Sot ka përfunduar deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Informatat të cilat janë publikuar në lidhje me raportet e tensionuara mes bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre, i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtejshme”, ka thënë Zhinipotoku.

Sakaq afati i paraburgimit për Naim Murselin dhe të arrestuarit e tjerë të çështjes është shtyrë me dy muaj që prej dhjetorit 2023.

Prokuroria Themelore e Prishtinës njofton vetëm se hetimet janë duke vijuar intensivisht pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u zhvilluar hetime intensive, ndaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të proçesit hetimor”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit dhe deri më tani për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona.

Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.

Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK-së dhe që sipas gjasave ka gjetur armën me të cilën është kryer krimi.

Ndërkohë, më 9 dhjetor është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosela e Gjakovës.

Motivi i vrasjes ende nuk dihet.

liridona ademaj naim murseli

Lini një Përgjigje