TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Mars 2025, 20:51

Kosova “imiton” Shqipërinë, partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën për manipulim të votave!

Shkruar nga Pamfleti

Kosova “imiton” Shqipërinë, partitë politike

Partitë politike në Kosovë kanë nisur akuzat për manipulim të votave pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të diasporës.

Rezultati nga numërimi i votave të diasporës me postë, ku Lidhja Demokratike e Kosovës mori 30.55% të tyre, bëri që Lëvizja Vetëvendosje ta akuzonte këtë parti për manipulim.

Sipas anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Ramës, rritja e votave të LDK-së është artificiale, pasi nga votimi i diasporës në përfaqësi diplomatike, kjo parti mori vetëm 7.30% të votave.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se manipulimi vërehet në mijëra fletëvotime ku ka votë për kandidatit për deputetë nga radhët e LDK-së, Hysen Çekajn dhe disa kandidatëve të tjerë.

LVV pretendon se në këto fletëvotime ka një shabllon të votimit, pra që janë votuar deputetët e njëjtë dhe thotë se u kurdis nga një grup i organizuar për çka ka njoftuar edhe policinë dhe prokurorinë e shtetit.

Hysen Çekaj i është përgjigjur akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë që kjo parti po tenton të njollosë emrin e tij pas refuzimit për të garuar në listën e tyre.

“Ata që më kërkuan të isha pjesë e listës së tyre si kandidat për deputet (kërkesë që e refuzova, sepse unë kam lindur në LDK), sot janë organizuar me të gjitha mjetet për të baltosur emrin e familjes Çekaj dhe votën e mërgatës shqiptare”, shkruan Çekaj.

Për këtë çështje, institucionet përkatëse nuk kanë nxjerrë ndonjë vendim. Megjithatë, pas ankesës së një kandidateje për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për keqpërdorime gjatë numërimit, votat e kësaj partie në komunën e Vushtrrisë do të shkojnë në rinumërim, proces ky që pritet të nis të enjten.

Nga votat e diasporës me postë, Lëvizja Vetëvendosje mori 51.57%, pasuar nga LDK me 30.55%. Partia Demokratike e Kosovës mori 9.48% dhe Koalicioni AAK-NISMA 3.23%.

Lini një Përgjigje