
Serbia ka një koncept të ri të politikës së jashtme. Ai është i zhveshur nga reliktet, që formësuan konceptin shtet formues të shekullit 19-të dhe zgjerimin në jug, por ushqen pretendimin e elitës serbe për rikthimin e hegjemonisë në rajon.
Pjesa e parë
Koncepti i ri i politikës së jashtme serbe, bazohet shumë në atë të Rusisë së Putinit që ishte aprovuar në nëntorin e vitit 2021. Ai reflekton tërësinë e ankesave të përhershme ndaj Perëndimit, të ambalazhuara me elemente të diskursit relativ paqësor.
Beogradi dëshiron ta zgjerojë bashkëpunimin me organizatat e të drejtave të njeriut; të bëjë çmos që të aderojë një ditë madje edhe në BE; të përafrohet edhe më shumë me Uashingtonin, duke ia kaluar për nga djallëzia edhe pretendimeve të Moskës së pas viteve ‘80-ta, kur mëtonte të “ndërtonte marrëdhënie të dobishme reciproke” me Shtetet e Bashkuara, por duke pasur parasysh mbi të gjitha investimet dhe tregun perëndimor. Këtë kurs Rusia e ndërtonte atbotë me SHBA-të, megjithëse e akuzonte për qëndrim jo miqësor” ndaj Rusisë.
Ka disa vite, të njëjtën logjikë në raport me SHBA-të e ndjek edhe Serbia, pavarësisht se në çdo përvjetor të bombardimeve të caqeve ushtarake serbe nga ana e NATO-s (çdo 24 mars), propaganda antiamerikane gumëzhinë deri në qiell, ndërkaq zërat më të artikuluar nga bota akademike serbe nuk prajnë të akuzojnë SHBA-të si kampion për prishjen e “Rendit ndërkombëtar”!
Rikthimi i hegjemonisë serbe në rajon
Koncepti i ri i politikës së jashtme i nënshtrohet plotësisht pretendimit që elita drejtuese e Serbisë sot ushqen për rikthimin e hegjemonisë në rajon. Në këtë rrugëtim Beogradi çdo hap të përafrimit me Perëndimin e llogaritë me peshoren e artë, duke insistuar që për çfarëdo “lëshimi” të mundshëm që detyrohet ta bëjë, qoftë në raport me dialogun me Kosovën, qoftë në krijimin e imazhit për shkëputje të mundshme nga ndikimi rus, të përfitojë sa më shumë “garanci serioze dhe afatgjata sigurie” dhe financime të drejtpërdrejta nga Perëndimi. Në këtë rrugëtim Beogradi nuk ngurron fare që në çdo takim me karakter diplomatik, politik a ushtarak, qoftë ai i natyrës bilaterale a multilaterale, të parashtrojë “katalogët përkatës të kërkesave”, që do t’i hapnin rrugë realizimit të projektit strategjik serb “Bota serbe”, krejtësisht në përputhje me konceptin rus mbi “Botën ruse”.
“Ballkani i hapur” prandaj ishte e mbetet një projekt që përputhet, respektivisht e shpien tutje drejt realizimit faktik, atë qenësorin — që e njohim si kopje të atij rus — projektin për “Botën serbe”.
Në ndihmë kësaj strategjie gjithsesi i vjen pozicionimi i Kishës dhe një lagjeje të së djathtës ekstreme. Tashmë është fakt notar se në Beograd, sidomos në fillim të aksionit rus në Ukrainë, kishte edhe protesta pro-ruse. Por edhe fakti tjetër shtesë se në Beograd dhe gjithandej në Serbi, pa përjashtuar as Mitrovicën e veriut, ku janë përqendruar banda të ekstremit të djathtë serb, shfaqen murale në respekt të Vladimir Putinit, ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar. Kur kësaj i shtohet edhe qëndrimi i luhatur i qeverisë serbe, shqetësimi i shteteve partnere evropiane duket krejtësisht i ligjshëm.
Por, nëse në javët dhe muajt e parë të luftës në Ukrainë, diplomacia europiane ishte pozicionuar qartë pro ushtrimit të presionit mbi Serbinë në raport me marrëdhëniet e saj me Moskën dhe qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë, me kalimin e kohës, këta zëra u heshtën. Atbotë, nëse i kthehemi kronikave, sipas njoftimeve të shtypit, spektri i masave të mundshme që paralajmëronin Berlini, Brukseli…duhet të varionte “nga heqja e përjashtimit të vizave dhe tërheqja e statusit të kandidatit, deri te largimi i investitorëve.”
Në fillim të marsit 2022, nëntë anëtarë liberalë të Parlamentit Evropian i patën shkruar Komisionit të BE-së, duke kërkuar ngrirjen e fondeve dhe pezullimin e negociatave të anëtarësimit në BE me qeverinë në Beograd, duke përfshirë zëvendëskryetarin Nicola Beer (FDP). Serbia po tregon “një lëvizje të rrezikshme drejt autoritarizmit” që është në “kontradiktë të fortë” me synimin e njëkohshëm për t’u anëtarësuar në BE, nismëtarët e justifikuan iniciativën e tyre: “Dhe kjo paqartësi kulmon me refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”.
Rikthimi i hegjemonisë serbe në rajon ishte pjesë përbërëse edhe në Strategjinë e sigurisë kombëtare [2020], që përcaktonte shtatë interesa kombëtare prioritare të Republikës së Serbisë, dy prej të cilave cenojnë drejtpërdrejtë sovranitetin e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi; e para — ruajtja e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë, dhe e dyta — ruajtja e ekzistencës dhe mbrojtjes së popullit serb “kudo që jeton”, si dhe i pakicave kombëtare, identiteti i tyre kulturor, fetar dhe historik, i cili është parakusht për “mbijetesën e Republikës së Serbisë, të diasporës dhe serbëve jashtë vendit dhe të Republikës Srpska si një entitet brenda Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”.
Për realizimin e këtyre dy synimeve, koncepti i ri i politikës së jashtme, bazuar në vetëbesimin e ri të Serbisë që po e rishfaq hapur në përballje me trysnin e Perëndimit në raport me politikat e saj me Rusinë, tok, paraqesin një kthesë serioze në politikën serbe, e cila padyshim “favorizohet nga rrethanat e reja gjeopolitike në rajon”.
Në këtë kontekst, vlen të rikujtojmë prezantimin e fundit të një prej studiuesve më me peshë të gjeopolitikës serbe, Dr. Milomir Stepiq [Milomir Stepić], i cili është autor i një sërë hartash etnike të territorit të ish-Jugosllavisë dhe një nga nismëtarët e kërkimit shkencor me një titull sinjifikativ “Hapësira etnike e serbëve”.
Sipas Stepiq-it, Kosova është territori qendror — bërthama territoriale e Ballkanit — përmes së cilës mund të mos kalojnë komunikime të rëndësishme, por është e mundur të kontrollohen nga ajo zonë — Korridori 4 / Korridori 8 / Korridori 10 i trafikut shumë të shpeshtë pan-evropian. (Salzburg — Lubjanë — Zagreb — Beograd — Nish — Shkup — Veles — Selanik mbrohet nga NATO / Korridori që do të shpallet Nish — Prishtinë — Durrës). Stepić, konkludon autorja kroate dr. sc. Jadranka Poloviq, përdor tezat e gjeografit të famshëm britanik Halford Mackinder, si dhe të gjeopolitikanit amerikan, Nikolas Spykman, për të përcaktuar pozicionin gjeopolitik të Serbisë, të cilën ai normalisht e konsideron si “një vend me aftësi të kufizuara” pasi është pa dalje në det. Kështu, ai konkludon se “kushdo që vjen nga deti apo “vertikalja strategjike moravë-vardar ka aftësinë për të menaxhuar Kosovën dhe Metohinë, dhe kushdo që e kontrollon Kosovën dhe Metohinë si një fortesë makro të Ballkanit, kontrollon rajonin.”
Ky fakt dëshmon arsyen reale të përballjes së Serbisë edhe me bombardimet 78 ditëshe nga ana e NATO-s dhe përkushtimin që kishte Shtabi Madhor i Ushtrisë Serbe, respektivisht lidershipi serb, që përmes operacionit ‘Patkoi’, të kryente spastrimin definitiv të Kosovës nga elementi shqiptar, siç kishte bërë edhe me Toplicën [1878]. Rezulton se, që nga krijimi i shtetit modern serb, ky ishte gjenocidi i katërt që Shtatmadhoria e Ushtrisë serbe po kryente ndaj shqiptarëve, e që për objektiv kishte krijimin e rrethanave të daljes së Serbisë në Adriatik. Pushtimi i Kosovës [1912] ishte hap i rëndësishëm në këtë plan. Prandaj Serbia, pavarësisht se ka kapitulluar më 10 qershor 1999 në Kumanovë, nuk heqë dorë nga një territor i tillë me rëndësi të madhe gjeopolitike, Shih për këtë, Stepiç në studimin e tij, i sugjeron lidershipit serb shtyrjen e zgjidhjes, dhe konservimin e pozitës së “konfliktit të ngrirë”, me shpresë se kurdo që të ketë ndryshime të rëndësishme gjeopolitike, Serbia do të mund të rikthehet sërish në Kosovë.(viojn)/ Pamfleti
Lini një Përgjigje