
Një person është arrestuar ditën e sotme nga policia e Kosovës, pas kërcënimeve që ai kishte bërë për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti.
Ka qenë Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka njoftuar arrestimin e shtetasit kosovarë identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur nga autoritetet.
Sipas Prokurorisë, ai fillimisht ka bërë një postim në Facebook me përmbajtje inkriminuese si dhe të njëjtën deklaratë e ka përsëritur në një emision televiziv.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar sot të dyshuarin me inicialet N.S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ nga neni 121 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook’’ me përmbajtje inkriminuese, si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’, të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsëritë”, thuhet në njoftim, raporton Gazeta Express.
Lini një Përgjigje