
3 persona janë arrestuar nga policia e Kosovës për rastin e aksidentit të ndodhur të enjten në Gjilan, ku si pasojë humbi jetën një person.
Dyshohet se të arrestuarit nuk e kanë ndihmuar viktimën, por janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për mosdhënie të ndihmës në raste të tilla dhe nëse ka viktima, Kodit Penal, parashikon dënim me burgim deri në 8 vite.
Një automjet u përplas me shkëmbinjtë dhe përfundoi më pas në anën tjetër të rrugës.
Lidhur me rastin, banorët kanë treguar se të rinjtë ishin duke bërë gara me makina dhe se aksidentet në këtë zonë nuk janë të rralla.
Në automjet së bashku me viktimën ka qenë edhe një person tjetër i cili ka mbetur i plagosur.
Në prangat e Policisë kanë përfunduar tre persona të tjerë që kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe janë identifikuar ditën e premte.
“Lidhur me rastin, më datë 26.01.2024 njësiti hetuesisë ka identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit në ditën kritike kanë qenë së bashku me viktimën. Pas aksidentit të njëjtit nuk kanë ofruar ndihmë viktimës, por janë larguar nga vendi i ngjarjes”, njoftoi policia.
Përveç për mosdhënie të ndihmës, dy nga të arrestuarit, B.A 29-vjeçar, F.A 23-vjeçar, dyshohen se në kohën e aksidentit, gjatë orëve të para të mëngjesit, kanë qenë duke bërë gara me makinë, të cilat ndalohen me ligj.
“Të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh, të dyshuarit F.A. dhe B.A., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme’’ dhe ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i dyshuari L.M., për shkak të veprës penale ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të KPRK-së”, tha Liridona Xheladini nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Prokuroria pritet që të kërkojë masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Lini një Përgjigje