TAGS-AT E JAVËS

Kosova 4 Shkurt 2024, 13:22

Heqja e dinarit, Petkoviç kërcënon Kosovën: Do kërkojmë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shkruar nga Pamfleti

Heqja e dinarit, Petkoviç kërcënon Kosovën: Do

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha se populli serb në Kosovë “është në një situatë shumë të vështirë” për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e dinarit serb.

Ai thekson se Serbia do kërkojë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Arsyet pse kërkojmë një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është se Albin Kurti po bën spastrim etnik të popullit serb në Kosovë dhe ose siç thuhet ligjërisht në konventa, po krijon jetë të padurueshme duke i nënshtruar qëllimisht serbët në kushte të tilla që nuk mund të mbijetojnë në Kosovë”, tha ai.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Petkoviç u shpreh se në vitin e fundit më shumë se 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova dhe tani jetojnë në Serbi.

Ai tha se SHBA-ja për herë të parë që nga fillimi i krizës reagoi në mënyrë adekuate dhe se njoftimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Geoffrey Hovenier ishte “inkurajues” pasi dënoi sulmin ndaj institucioneve serbe në Kosovë.

“Sigurisht që Amerika nuk do të ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës, por në këtë rast kur është fjala për anulimin e dinarit i cili po krijon një fatkeqësi humanitare në Kosovë, shohim një tjetër reagim”, theksoi Petkoviç.

Kujtojmë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuara pas veprimeve të autoriteteve të Kosovës pas mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

ShBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë thirrje sërish Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.

Lini një Përgjigje