
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me nënkryetarin Uran Ismaili dhe shefin e grupit të PDK-së, Abelard Tahiri, kanë arritur në Hagë për të ndjekur nga afër fillimin e procesit gjyqësor ndaj çlirimtarëve të Kosovës. Ku për pak çaste pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka shkruar se duke besuar në drejtësi, është thellësisht i bindur se edhe në këtë betejë të fundit për të vërtetën e epokës së lavdishme të lirisë sonë, ata do të dalin fitimtarë.
“Krenar për dinjitetin kombëtar që manifeston UÇK-ja, bashkë me Uranin e Abelardin, jam sot në Hagë për të ndjekur nga afër fillimin e procesit gjyqësor ndaj çlirimtarëve tanë. Duke besuar në drejtësi, jemi thellësisht të bindur se edhe në këtë betejë të fundit për të vërtetën e epokës së lavdishme të lirisë sonë, ata do të dalin fitimtarë”, ka shkruar Krasniqi.
Ditën e sotme në Gjykatën e Hagës nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të lartë të UÇK-së, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale që prej vitit 2020. Pas marshimit që u mbajt një ditë më parë në Kosovë, ku mijëra njerëz u mblodhën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, një tjetër protestë është thirrur sot para Gjykatës Speciale. Një grup shqiptarësh janë mbledhur para gjykatës.
Ish-krerët akuzohen për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Lini një Përgjigje