
Pesë persona, katër serbë dhe një shqiptar janë arrestuar në komunën Zubin Potok, pasi dyshohen se kanë gjuajtur me armë zjarri ndaj zyrtarëve të policisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani ka konfirmuar për mediat se rasti ka ndodhur pasi policia ka ndaluar disa automjete të cilat besohej se kontrabandonin mallra.
Ai njoftoi se gjatë tentimit për ti ndaluar ka pasur shkëmbim me armë zjarri por fatmirësisht nuk ka të plagosur.
Pesë të arrestuarit dyshohen për “kontrabandë mallrash”, “posedim të lëndëve narkotike” dhe “sulm ndaj zyrtarit”.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit në rrethinën e komunës së Zubin Potokut policia ka hasur disa vetura të cilat besohej se kontrabandonin mallra. 5 persona janë arrestuar, ndërsa janë konfiskuar tri veturat. Hetimet rajonale Mitrovica Veri po merren me rastin i cili cilësohet si sulm ndaj personave zyrtar, posedim narkotikësh dhe kontrabandim me mallra”, u shpreh Elshani.
Lini një Përgjigje