TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Janar 2025, 14:39

E ardhmja e politikës serbe ‘në dy karrige’ varet nga Donald Trump

Shkruar nga Fadil Lepaja
E ardhmja e politikës serbe ‘në dy karrige’ varet nga
Aleksandar Vuçiç dhe Donald Trump /

Edhe pse politika dinake serbe e uljes në dy karrige ka ardhur në momentet më të vështira që nga fillimi i luftës në Ukrainë, prapëseprapë Presidenti serb Vuçiç, nuk po heq dorë nga përpjekjet e tij që të kopjojë ish liderin e moderuar komunist, Tito dhe një politikë të mos inkuadrimit në “blloqe”...

A do t’i blejë aksionet ruse në NIS vetë qeveria serbe, do ta nacionalizojë naftën apo ato do t’i blejë ndonjë kompani e huaj, kjo pritet të vendoset nga vetë ajo brenda një afati prej 45 ditësh, kohë kur nga administrata amerikane pritet që Serbia të përjashtojë interesat ruse nga NIS(Industria e Naftës e Sërbisë) ku rusët(Gaspromnjeft) mbajnë 56% të aksioneve.

Ky proces i largimit të interesave ruse nga NIS, duhet të jetë i pranueshëm për administratën amerikane. Kjo vendimmarrje serbe, është e kushtëzuar edhe me vullnetin rus që të shesë pjesën e vet të aksioneve, por edhe me të panjohurat që sjell administrata Trump për Serbinë. Kjo nënkupton shpresën për një ndryshim radikal të politikës amerikane ndaj Rusisë, por edhe frikën se më gjithë ndryshimet politike interesat do të mbeten të njëjta, pra lufta mes kompanive anglo- amerikane të naftës dhe gazit dhe oligarkëve rus të naftës për të kontrolluar infrastrukturën dhe tregjet që të çojnë drejt Evropës, do të vazhdojë.

Vetë Rusia, mund të refuzojë ta shes pjesën e saj, kompanitë e huaja mund të hezitojnë të blejnë pakon e aksioneve ruse, por edhe administrata amerikane mund ta konsiderojë të papranueshme që këto aksione të shkojnë në duar të ndonjë kompanie tjetër që ndjek linja të njëjta të interesat e kompanive ruse të naftës.

Duke qenë se NIS, kontrollon 80% të tregut të karburanteve në Serbi, dhe rezervat e shtetit janë deklaruar të jenë të mjaftueshme vetëm për dy muaj, nëse nuk ndërmerren hapat e kërkuar nga administrata amerikane, kjo Serbinë mund ta çojë në një pozitë tejet të vështirë, duke përfunduar me zgjerim të sanksioneve, presione politike për ndryshime dhe sanksione politike për ta detyruar të rreshtohet.

Por, edhe pse politika dinake serbe e uljes në dy karrige ka ardhur në momentet më të vështira që nga fillimi i luftës në Ukrainë, prapëseprapë Presidenti serb Vuçiç, nuk po heq dorë nga përpjekjet e tij që të kopjojë ish liderin e moderuar komunist, Tito dhe një politikë të mos inkuadrimit në “blloqe”.

Kështu oferta e fundit e presidentit serb që Serbia të jetë vendi i takimit të parë Trump- Putin, duket se përpos rëndësisë politike synon të jetë e rëndësishme edhe për të krijuar një baraspeshë të interesave të perëndimit dhe Rusisë në Ballkan, ku prijnë ato ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe ato politike për të formësuar një konstruksion që do të ndiqte baraspeshën aq të nevojshme për Serbinë, e cila provoi që t’ia përshtatë Procesin e Berlinit këtyre interesave, duke promovuar Ballkanin e Hapur, apo duke preferuar çfarëdo forme të një bashkimi politik që do ta zëvendësonte ish- Jugosllavinë, ku ndahej dhe bashkohej lindja me perëndimin, ndërsa Serbia përfitonte dhe fuqizohej jashtëzakonisht shumë nga ky ndërmjetësim.

Çfarë do bëjë Serbia në këto rrethana, kur po ndeshet edhe me një revoltë dhe kërkesa për llogaridhënje nga ana e studentëve serbë është vështirë të dihet paraprakisht, pasi karakteristikë themelore e politikës serbe në raport me Perëndimin dhe Rusinë është elasticiteti dhe mungesa e vendimmarrjes.

Humbja e NIS, ka shumë gjasë që, në mos të rrënojë atëherë të zbehë shumë ndikimin rus në Ballkan. Vendimmarrja serbe do të thoshte ta përzejë Rusinë nga Ballkani dhe Vuçiç të përballet për herë të parë dhe pakthyeshëm me zemërimin e oligarkëve rus të naftës, të cilët aktualisht e drejtojnë për interesat e tyre shtetin rus.

Prandaj, Serbia nuk do të marrë vendim, pa u detyruar apo pa ju hapur rruga që të jetë faktor në marrëdhëniet SHBA-Rusi. Nëse Trump tregon interes për marrëveshje me rusët dhe Serbia të jetë vendi mikpritës, e Vuçiç ndërmjetësuesi, atëherë edhe sanksionet do të zbuten, apo pse jo, edhe të anulohen.

Afati prej 45 ditësh i jep hapësirë atij të vlerësojë nëse Trump do të ketë nevojë ose jo për shërbimet e tij ndërmjetësuese. Kjo do të tregojë edhe drejtimin e administratës së tij, në raport me Rusinë, Serbinë e rrjedhimisht edhe Ballkanin./Pamfleti

e ardhmja e politikës serbe donald trump

Lini një Përgjigje