
As sot nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke shënuar kështu tentimin e 32-të të pasuksesshëm për krijimin e institucioneve të reja.
Seanca vazhdon të mbetet e papërfunduar, pasi mungesa e kuorumit për formimin e Komisionit për zhvillimin e votimit të fshehtë ka pamundësuar votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në seancë ishin të pranishëm 75 deputetë.
Senca e ardhshme është caktuar më 17 qeshor, duke filluar nga ora 11:00.
Ngërçi nisi në seancën e parë kur u formua komisioni i përkohshëm për verifikim të mandateve, por raporti nuk kaloi pasi deputetët e opozitës nuk e votuan.
Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë. Ky raport nuk kaloi as në seancën e dytë, duke kaluar te seanca e tretë kur deputetët edhe bënë betimin dhe Albulena Haxhiu u propozua nga VV për kryeparlamentare.
Ajo nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare, as në këtë seancë dhe as në pesë tjerat që pasuan, e ku u propozua sërish nga partia e parë.
Një ngërç tjetër nisi në seancën pasuese, kur Lëvizja Vetëvendosje propozoi që votimi për kryeparlamentar të jetë i fshehtë. Ky propozim është bërë për të disatën herë, deri në seancën e fundit, atë të së premtes.
haxhiu është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni. PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndryshojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Nga Lëvizja Vetëvendosje disa herë kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pritet të ndërmarrë hapa për të kërkuar zgjidhje për ngërçin në të cilin ka hyrë vendi. Ajo pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me synimin që të sqarohen mundësitë ligjore për tejkalimin e situatës aktuale.
Sipas këshilltarit të saj, Bekim Kupina, ekipi ligjor i Presidentes tashmë ka përgatitur një draft të lëndës që do t’i dorëzohet Gjykatës. Megjithatë, po pritet aktgjykimi për pranueshmërinë e kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja, e cila pritet të ndihmojë në sqarimin e aspekteve procedurale të çështjes. Presidentja ka mbajtur deri tani dy takime konsultative me liderët e partive politike, fillimisht më 15 maj dhe së fundmi për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.
Lini një Përgjigje