TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Dhjetor 2025, 19:14

Deputeti serb trondit Kuvendin: Banjskën e organizoi shteti, Radoiçiçi lëviz i lirë në Serbi

Shkruar nga Pamfleti
Deputeti serb trondit Kuvendin: Banjskën e organizoi shteti,
Petar Boskoviç

Deputeti serb Petar Boskoviç ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvendin e Serbisë, duke goditur drejt e në shenjë qeverinë e Aleksandër Vuçiçit për sabotim të integrimit evropian dhe mungesë të vullnetit politik për reforma thelbësore. Ai e cilësoi të pakuptimtë justifikimin e autoriteteve me “kushte teknike të përmbushura” për hapjen e kapitullit të tretë të negociatave me BE-në, duke e cilësuar këtë një mashtrim të pastër.

“As vetë nuk besoni në këto budallallëqe. E dini shumë mirë pse kapitulli nuk është hapur, por nuk doni vërtet të shkoni drejt Evropës,” u shpreh Boskoviç, duke iu referuar drejtpërdrejt mungesës së sundimit të ligjit dhe vullnetit politik si pengesat reale. Ai theksoi se raporti i fundit i Komisionit Evropian është ndër më të ashprit dhe më të saktët, ku theksohen qartë këto dështime.

Në vijim të fjalës së tij, Boskoviç solli në vëmendje çështjen e Banjskës dhe rolin e Millan Radoiçiçit, i cili sipas tij vazhdon të lëvizë i lirë në Serbi, i paprekur nga drejtësia. “Radoiçiç shëtit si të dojë, me vetura të blinduara më të mira se princi saudit dhe me sigurim më të fuqishëm se vetë presidenti Vuçiq”, deklaroi ai, duke ironizuar me luksin dhe paprekshmërinë e personit të shpallur përgjegjës për ngjarje të rënda në veri të Kosovës.

Sipas Boskoviçit, çështja e Banjskës është kthyer në një pikë presioni konstant nga zyrtarët evropianë në çdo kontakt me Serbinë. “Të gjithë jeni të përfshirë, nga drejtori i atëhershëm i BIA-s, përmes Mojsiloviçit dhe anëtarëve të ushtrisë, deri te presidenti i shtetit që iu ka lutur KFOR-it të hapë rrugën për t’i shpëtuar njerëzit tuaj nga shqiptarët”, tha ai.

Deputeti opozitar ngriti gjithashtu akuza për përfshirje të dyshimtë të Serbisë në aktivitete jashtë vendit, përfshirë përgatitje grupesh në Loznicë, ndërhyrje në Moldavi dhe shitje municionesh gjatë luftës në Ukrainë. Ai përfundoi duke thënë se politika e jashtme serbe nuk i shërben më interesit të vendit, por vetëm thellon izolimin ndërkombëtar.

Fjalimi i Boskoviçit ka ndezur debate në politikën serbe, duke rihapur çështjen e transparencës, përgjegjësisë shtetërore dhe rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

petar boskoviç radoicic banjske

Lini një Përgjigje