
Republika e Kosovës ka marrë një tjetër njohje zyrtare në skenën ndërkombëtare. Bahamas ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke u bërë vendi i 121-të që e njeh shtetin më të ri në Evropë si shtet të pavarur dhe sovran.
Lajmin e ka dhënë Presidentja Vjosa Osmani përmes një njoftimi në Facebook, ku tha se marrëveshja për njohje është arritur në kryeqytetin e Bahamas, Nasau. “Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkroi Osmani, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi për konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në prani të përfaqësuesve të të dyja shteteve, përfshirë edhe Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis. Me këtë akt, të dy vendet zyrtarizojnë hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi dypalësh.
Në deklaratën e përbashkët theksohet se marrëdhëniet diplomatike vendosen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Palët riafirmojnë përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së OKB-së, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazinë e shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Kosova dhe Bahamas kanë shprehur gatishmëri për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, si tregtia, turizmi, arsimi, kultura, teknologjia dhe inovacioni. Kjo njohje vjen në një moment kritik për politikën e jashtme të Kosovës, e cila synon forcimin e pozicionit ndërkombëtar dhe rritjen e numrit të njohjeve globale.
Lini një Përgjigje