TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Maj 2026, 21:40

DASH ultimatum politikës së Kosovës: Boll me ngërçe, po ju monitorojmë

Shkruar nga Pamfleti
DASH ultimatum politikës së Kosovës: Boll me ngërçe,
Departamenti i Shtetit

SHBA rrit presionin ndaj klasës politike, ndërsa vendi shkon sërish në zgjedhje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë ultimatum klasës politike në Kosovë që të ndalë lojërat. Kosova do të shkojë në Zgjedhje për shkak të kapriçove politike, por sipas Uashingtonit kjo do të duhet të marr fund.

Në një reagim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit theksoi se situata aktuale po dëmton drejtpërdrejt besimin e qytetarëve tek institucionet. “Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, u shpreh ai, në një deklaratë që interpretohet si një paralajmërim i qartë për lidershipin politik në Prishtinë.

Zgjedhjet parlamentare janë caktuar për më 7 qershor, pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues.

Përplasjet politike kanë qenë të ashpra. Lëvizja Vetëvendosje akuzon opozitën për bojkot të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare fajësojnë qeverinë për mungesë bashkëpunimi dhe përpjekje për përqendrim të pushtetit. Ky konflikt ka çuar në një ngërç institucional që po përsëritet.

Legjislatura e fundit, e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj, duke thelluar perceptimin për paqëndrueshmëri politike. Kriza në fakt ka rrënjë më të hershme, që nga zgjedhjet e shkurtit 2025, kur institucionet nuk arritën të funksionojnë normalisht për muaj të tërë.

Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të rrezikshëm paqëndrueshmërie, të ngjashëm me atë të Bullgarisë, e cila ka zhvilluar disa zgjedhje radhazi pa arritur të krijojë stabilitet institucional. Një skenar i tillë do të ndikonte jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në ekonominë e vendit, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedurat për organizimin e procesit të ri zgjedhor. Afatet për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe kandidatëve janë hapur, ndërsa fushata pritet të zgjasë vetëm 10 ditë, nga 28 maji deri në ditën e votimit.

Zgjedhjet e 7 qershorit pritet të kushtojnë mbi 10.8 milionë euro, një barrë e konsiderueshme financiare për një vend që po përballet me krizë politike të vazhdueshme. Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja ishte rreth 45%, ndërsa mbi 2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote.

dash shba kosova

Lini një Përgjigje