
Persona të maskuar në Serbi vendosën barrikada në pikë kalimet kufitare me Kosovën duke penguar në mënyrë selektive lirinë e lëvizjes vetëm qytetarëve me etni shqiptare.
Në Kosovë pati ankesa për mos reagimin e Bashkimit Europian, megjithatë Unioni reagoi sot në një përgjigje për Gazetën Express.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se nuk është as tubim paqësor e as e drejtë demokratike që persona të maskuar të frikësojnë udhëtarët, ndërsa ia ka kujtuar Serbisë përgjegjësinë e marrëveshjeve të dialogut për lirinë e lëvizjes.
“Liria e tubimit paqësor, duke respektuar ligjin, është absolutisht thelbësore në çdo demokraci. Megjithatë, personat e maskuar në Serbi, pranë pikave të përbashkëta të kalimit, që bllokojnë trafikun që vjen nga Kosova dhe frikësojnë udhëtarët, nuk bëjnë pjesë në këtë kategori. Marrëveshja e dialogut e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes përcakton qartë parimin e udhëtimit të lirë brenda ose përmes territorit të palës tjetër. Është përgjegjësi e secilës palë që t’i zbatojë ato dispozita në territorin e saj, në këtë rast Serbisë”, ka thënë Stano.
Pikë kalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë iu kthyen normalitetit pasi personat e maskuar në Serbi hoqën barrikadat. Edhe Kosova liroi pikat që i mbylli në përgjigje të selektimit racist nga ana e serbëve protestues.
Lini një Përgjigje