
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter mbrëmjen e djeshme.
Pas bllokadave nga dhjetëra qytetarë serb të tre pikave kufitare, të cilët po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës, Gërvalla tha se Serbia ka gisht në këtë ngjarje.
“Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë veturat me regjistrim gjerman dhe nuk po i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiçit po e mbështet këtë përshkallëzim racist, duke parë e duke mos vepruar asgjë. Kosova do ta mbajë kufirin e mbyllur deri sa të garantohet lëvizja e lirë dhe shqiptarët të sigurohen nga skenat më të këqija të kriminelëve serbë të maskuar, që i ndjekin e kërcënojnë sërish. Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të kundërshtojnë me vendosmëri hapat e ardhshëm përshkallëzues të Vuçiçit. Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, shkruan ajo.
Më herët, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, njoftoi për mbylljen e pikës kufitare në Bërnjak. Sipas Sveçlës, një familjeje që po udhëtonte nga Kosova në Gjermani nuk i është lejuar udhëtimi dhe është kthyer pas me forcë.
Sveçla tha se këto veprime janë fashiste, teksa shton se po ndodhin para syve të Policisë serbe të cilën e ka quajtur bashkëfajtore.
Edhe rrugët tjera në Serbi, e që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Merdar dhe Jarinjë, janë bllokuar pasditen e së premtes nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës.
Qytetarët serbë që janë futur në Kosovë nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë kanë thënë se po u kërkohen dokumente.
Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.
Pas paralajmërimit për bllokadë, institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë.
Lini një Përgjigje