
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka folur lidhur me situatën pas mbylljes së pikës kufitare në Bërnjak. Elshani tha se situate është e qetë dhe se nuk është regjistruar asnjë incident.
“Situatë e qetë, pa incidente”, tha Elshani për “Gazeta Express”.
Ndërkohë, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët e Kosovës.
Për mbylljen e Bërnjakut, njoftoi mbrëmjen e djeshme Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Sveçla njoftoi se një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Svecla.
Pas mesnatës, njoftoi se është mbyllur edhe pika kufitare në Merdare.
“Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës”, u shpreh ai.
Kryediplomatja Donika Gërvalla reagoi gjithashtu pas mbylljes së Bërnjakut, e cila tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet. Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë”, shkroi Gërvalla.
Ministria e Punëve të Jashtme u ka bërë thirrje qytetarëve dhe emigrantëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova, në drejtim të shteteve tjera të marrin masa dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.
Lini një Përgjigje