
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar vendosjen e bllokadave nga ana e Serbisë, nëpër pikat kufitare. Ajo ka deklaruar se kjo gjë është bërë me qëllim nga ana e Serbisë për të krijuar tensione.
“Bllokadat kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhshmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada, sepse siç e dini policia serbe ka qenë atje dhe këto kanë ndodhur para syve të tyre”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, tha se Serbisë nuk i intereson lëvizja e lirë, duke theksuar se bllokadat janë krijuar për të terrorizuar qytetarët shqiptarë.
“Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë. Këto bllokada, të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare”, tha Osmani.
Ndër të tjera presidentja u kërkoi aleatëve të Kosovës të dalin me qëndrim publik, për shkeljet e vazhdueshëm të Serbisë.
"Dilni me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, u shpreh ajo.
Lini një Përgjigje