Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar të enjten në mbrëmje se në Bruksel është arritur një dakordësi me Serbinë për funksionimin e komisionit të përbashkët për jetësimin e marrëveshjes për personat e pagjetur.
Pas përfundimit të takimeve të mbajtura sot, Bislimi bëri të ditur se qëllimi kryesor i bisedimeve ishte arritja e një marrëveshjeje për vënien në funksion të komisionit të përbashkët, i cili do të merret me zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Qëllimi ishte të arrijmë dakordim për të funksionalizuar komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç. Takimet ishin të suksesshme dhe më në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv. Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësit tanë dhe që të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”, është shprehur Bislimi.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se takimet e sotme kanë qenë kryesisht bilaterale me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Bislimi shtoi se në mënyrë të shkurtër janë prekur edhe elemente të tjera të dialogut, për të cilat, sipas tij, pritet të ketë lëvizje pas formimit të Qeverisë së re.
Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka deklaruar se pas takimit të sotëm pret përshpejtim të procesit për gjetjen e të gjithë personave të zhdukur.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç ishin dakorduar në vitin 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, ndërsa palët ishin pajtuar edhe më pas për zbatimin e plotë të saj. Megjithatë, sipas planifikimeve të mëhershme, Serbia nuk kishte pranuar të marrë pjesë në takime për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Takimi i sotëm ishte i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë këtë vit. Ndërmjetësi i BE-së, Peter Sorensen, kishte deklaruar gjatë vizitave të tij në Kosovë dhe Serbi në mesin e janarit se pret që dialogu këtë vit të marrë atë që nuk e mori në vitin 2025. Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë që nga viti 2023.
Lini një Përgjigje