![]()
Ministria e Mbrojtjes serbe ka mohuar akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në disa poligone ushtarake po stërviten pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në reagim, duke hedhur poshtë planet për sulme në territorin e Kosovës.
Më herët gjatë 23 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Millan Radoiçiç dhe grupi i tij, po përgatiten të kryejnë sulme të reja ndaj Kosovës. Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës. Gjatë përleshjeve që pasuan më 24 shtator, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e fajëson për sulmin Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.
Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit. Kryeministri kosovar pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension. Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, u shpreh Kurti, duke shtuar se ky grup përbëhet prej njerëzve të besueshëm të Radoiçiqit.
Kurti po ashtu përmendi një plan për një sulm në nëntor për rimarrjen e vilës së Radoiçiqit afër Liqenit të Ujmanit, që autoritetet kosovare sekuestruan pas sulmit të 24 shtatorit. Ai shtoi se të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë, duke theksuar se Kosova është e përgatitur të zmbrapsë çdo sulm.
Gjatë konferencës për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, paraqiti fotografi, harta dhe materiale të tjera lidhur me ngjarjen në Banjskë. Ai po ashtu nxorri informacione për të dyshuarit e sulmit, duke publikuar fotografi dhe informacione të tjera personale për ta.
Lini një Përgjigje