
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Serbia ka 48 baza operacionale përreth kufirit me Prishtinën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit.
Kjo deklaratë u bë e ditur gjatë takimit të kryeministrit Kurti me përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz. Gjithashtu gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës si dhe për situatën e sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist më 24 shtator.
“Në këtë takim të parë me kryeministrin Kurti në Prishtinë dhe vizitën e parë të emisarit Troccaz në Kosovë pas emërimit të tij nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës në fund të shtatorit të këtij viti, u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen dhe zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka falënderuar Troccaz për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës dhe e njoftoi me rezultatet e qeverisjes dhe progresin e shënuar në rrafshin demokratik dhe ekonomik të vendit.
Ndërsa sa i përket dialogut, Kurti ka thënë se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë process. Kurti e ka njoftuar Troccaz me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë.
“Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci”, vijoi më tej Kurti.
Ai shtoi se, Serbia ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit.
“Kurse, për sa i përket situatës së sigurisë, kryeministri rikujtoi kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën. Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit", tha kryeministri, teksa shtoi se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rrit nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor.
ZKM njofton se në këtë takim Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja Rizvanolli, ndërkaq, emisari francez Troccaz po shoqërohej nga ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot.
Lini një Përgjigje