As Kurti dhe as Vuçiç nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë përfunduar takimet me udhëheqësit evropianë.
Ata u pritën të ndarë nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
As Kurti, as Vuçiç nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.
Burime të BE-së thonë se Kurti pritet të takojë sërish gjatë ditës shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ndërkohë që ata kanë pasur një takim me Vuçiç.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.
Më tej ai tha se nuk është planifikuar një takim Kurti-Vuçiç, por gjithçka varet nga ecuria e negociatave. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim se çfarë u arrit në bisedimet e të dyja palëve. Por duhet theksuar se Kurti ka dhënë dakordësinë për varianin e ri të Asociacionit.
Lini një Përgjigje