Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish lidhur me zjarrin në tregun e “5 Majit” dy ditë më parë.
Në një konferencë për mediat, Berisha hodhi akuza duke thënë se mafia e drogës dhe e kokainës i dogji këto biznese për të ndërtuar kulla shumëkatëshe në atë zonë.
Ai shtoi se qindra qytetarë mbetën pa bukën e gojës, pasi iu dogjën bizneset familjare. Kryedemokrati e ka cilësuar ngjarjen si një akt të lidhur me interesat e atyre që i quajti “mafia e betonit”.
“Është koha që PD të bëjë gjithçka për angazhimin maksimal në përmbushje të misionit të saj. Në të njëjtën kohë kur nuk jep asnjë ndihmë, nuk cakton fondin, digjen 2000 biznese në mes të Tiranës. Mijëra qytetarë humbasin bukën e gojës. Qindra mijëra shqiptarë që visheshin te ai treg, tani nuk kanë mundësi që të blejnë vota. Mafia e kokainës, e drogës, i djeg ato për të ndërtuar kulla në atë shesh”, tha Berisha.
Sipas policisë, shkak për zjarrin në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike. Ndërkohë, flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale.
Edhe pse kanë kaluar 40 orë nga nisja e zjarrit te tregu te "5 maji" ende ka vatra aktive. Ende shihen vatrat e zjarrit dhe tymi në rrënojat e tregut.
Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu tregun pranë ish-uzinës “Dinamo”, në rrugën “5 Maji” mbrëmjen e 8 janarit në Tiranë shkrumboi gjithçka.
Zjarri nisi në një magazinë dhe u përhap me shpejtësi, duke prekur mbi 100 biznese, malli i të cilave u kthye në shkrumb e hi, pavarësisht se forcat zjarrfikëse luftuan për më shumë se 6 orë për të neutralizuar flakët.
Dy kapanonet e djegura përfshijnë mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 11 mijë metrash katrorë, ku tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet e strukturave të shkatërruara.
Lini një Përgjigje