
Ish-kandidati për kreun e ri të Partisë Demokratike Gjergji Hani, ka folur disa ditë pas zgjedhjeve, i cili tha se nuk ka qenë në traditën e PD një garë e ndershme dhe e hapur.
Sipas Hanit, zgjedhjet brenda demokratëve kanë qenë gjithnjë të paracaktuara dhe shumë anëtarë për vite me radhë i kanë pranuar këto vendime në heshtje.
“Ishte një rezultat i pritshëm ai i zgjedhjeve për kreun e PD. Nuk ka qenë në traditat e Partisë Demokratike një garë e ndershme e hapur, ka qenë gjithnjë e paracaktuar. Një pjesë e demokratëve i kanë pranuar këto vendime duke mbyllur hundët. Për mua ishte një kryengritje morali, kanë humbur identitetin”, tha Hani për A2 CNN.
Gjergji Hani u shpreh gjithashtu se nuk kishte kushte të barabarta për të garuar përballë Bashës, të cilin e fajëson për humbjen e identitetit të Partisë Demokratike.
“Nuk arrita të organizoj takime. Ato i organizon struktura që bën fushatën. Strukturat ishin të njëanshme. Është një praktikë pune normale. Kur i shërben një njeriu për 12 vjet krijon një empati një lidhje shpirtërore. Ata bënë atë që dinin të bënin më mirë. Unë e dija. Unë nuk hyra në garë për të legjitimuar Bashën. Unë e bëj përgjegjës Bashën për humbjen e identitetin e PD dhe humbjet për 10 vjet radhazi përballë Ramës”, përfundoi Gjergji Hani.
Lini një Përgjigje