Deputetja Jorida Tabaku tha se nuk ka asnjë arsye dhe pengesë ligjore që Partia Demokratike të mos regjistrohet nga KQZ-ja për zgjedhjet lokale të 14 majit. Tabaku u shpreh se shpreson që ky debat të përfundojë sa më shpejt.
“Unë nuk shoh arsye ligjore që KQZ dhe komisioneri të mos regjistrojnë PD-në. Unë nuk shoh pengesa ligjore që kjo të ndodhë. Por shpresoj shumë që ky debat të përfundojë sa më shpejt dhe duhet fokusuar tek oferta që duhet t’i japim njerëzve. Duhet t’i flasim njerëzve me një ofertë konkrete reale për zgjedhjet lokale sesi Partia Demokratike do jetë ndryshe në zgjedhjet lokale”, theksoi ajo për Euronews Albania.
Dje kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi deklaroi se në bazë të dokumentacioneve që i janë paraqitur, të drejtën për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit, e ka Lulzim Basha. Celibashi, pasi dëgjoi përfaqësuesit e dy grupimeve në PD, u shpreh se kërkesa e Bashës nuk është e plotë ndaj dha 48 orë kohë për të bërë plotësimet e duhura.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi paralajmëroi se ata nuk do të plotësojnë dokumentacionin, pasi ai është i plotë dhe nuk ka fare vend për debat. Por kjo lëvizje duket se vë në vështirësi KQZ, e cila duhet të vendosë nëse do regjistrojë apo jo në zgjedhje PD nën emrin e grupit të Alibeajt.
"PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë!", u shpreh Bardhi.
Lini një Përgjigje