Ditën e nesërme Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi pritet të mbledhë Grupin Parlamentar në lidhje me situatën kaotike selinë blu.
Mbledhja është njoftuar përmes një mesazhi drejtuar demokratëve dhe mësohet se takimi i tyre do të mbahet në orën 13:00.
“Të nderuar kolegë! Nesër, e hënë, ora 13:00 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar, tek salla e grupit në Kryesinë e Kuvendit.”, u shkruan Bardhi deputetëve të PD.
Kujtojmë se disa ditë më parë Kryesia e PD vendosi dhe datën e zgjedhjeve për kryetarin e ri, të cilat do të mbahen më 29 korrik.
Ky vendimi i Kryesisë për të shkuar në zgjedhje të reja e ndau PD zyrtare në dy pjesë, pasi një pjesë duan zgjedhje për kryetarin, ndërsa disa jo.
Mes emrave që kanë dalë kundër është edhe Gazmet Bardhi.
Bardhi ka kërkuar që të thirret mbledhja e Këshillit Kombëtar, pasi sipas tij, vetëm ky organ mund të marrë vendimin për të shkuar në zgjedhje.
Ju rikujtojmë se me 11 Qershor Kryesia e PD-së zyrtare vendosi që zgjedhjet për kreun e partisë të mbahen më 29 Korrik.
Në mbledhjen që gjati për 10 orë u propozua që së pari të zhvilloheshin zgjedhje në nivel strukturash dhe më pas të zgjidhet kryetari i ri, por kjo formulë që kishte dhe mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi nuk u mbështet nga anëtarët e tjerë të kryesisë.Përveç diskutimeve mes anëtarëve të kryesisë, në mbledhje u shënuan dhe incidente pasi në ambientet ku zhvillohej mbledhja erdhën disa nga mbështetësit e Lulzim Bashës.Ata kanë fyer anëtarët e kryesisë dhe deputetët të cilët nuk ishin dakord që zgjdhjet për kryetarin e ri të zhvilloheshin në muajin Korrik.
Ndër deputetët që ishin në fokus të fyerjeve ka qenë Gazment Bardhi dhe Dashnor Sula.
Pavarësisht këtyre incidenteve, PD zyrtare do të vijojë procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri. Sipas vendimit të Kryesisë, personat të cilët duan të jenë pjesë e garës për kryetarin e ri kanë afat deri më 20 Qershor të dorëzojnë kërkesën për kandidaturën e tyre.
Në datën 24 Qershor deri më 27 Korrik do të zhvillohet fushata e kandidatëve në të gjithë territorin e vendit.
Pas përfundimit të zgjedhjes së kryetarit të ri, brenda muajit Shtator duhet të mbahet kuvendi i jashtëzakonshëm statusor.
Pas debateve në mbledhjen e Kryesisë, Jorida Tabaku pasi nuk pranoi të ishte kryetarja e komanduar e PD zyrtare, vendosi që të dorëhiqet dhe nga posti i saj si nënkryetare e partisë.
PD do të fillojë procesin zgjedhor duke filluar që me regjistrimin e anëtarësisë së PD me të drejtë vote.
Ndërkohë grupi tjetër i PD, i drejtuar nga Sali Berisha ftoi dje sërish grupin e Bardhit për negociata.
“PD ka çdo potencial për t’u bashkuar. Çdo deputet i saj, përveç Bashës dhe Alibravës e ka vendin, ka kontributet, është i mirëpritur në PD. Deputetët të cilët duan të krijojnë fraksion janë të mirëpritur. Janë të mirëpritur të ulemi, të diskutojmë, të negociojmë, të debatojmë si njerëz, si deputetë, si drejtues, me përgjegjësi të madhe për të ardhmen e kësaj partie dhe opozitës shqiptare”, tha Berisha dje për mediat./Pamfleti
Lini një Përgjigje