TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Prill 2025, 11:08

Votë për ndryshim apo mandat për krimin; pesë faktorët që do të vendosin zgjedhjet e 11 Majit

Shkruar nga Pamfleti
Votë për ndryshim apo mandat për krimin; pesë faktorët
Liderët e partive politike në Shqipëri

Edi Rama nuk shkon më nëpër mitingje për të dhënë shpresë. Ai shkon për të mbajtur kontrollin. Ajo që ka ndodhur është më e thellë se çdo analizë teknike: Shqipëria është kthyer në një shtet që nuk pyet më popullin, por i jep popullit ndjesinë që gjithçka është e kotë.

Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit nuk priten si një proces normal politik, por si një provë e madhe për një sistem që prej kohësh ka humbur lidhjen me qytetarin. Në një klimë të ngarkuar me dyshime, pazare të hapura dhe një drejtësi që lë më shumë pikëpyetje sesa përgjigje, vota do të jetë një pasqyrim i një realiteti të deformuar sesa një mjet ndryshimi. Mes një pushteti të rrënjosur fort dhe një opozite të fragmentuar, zgjedhjet po afrohen si një garë e paracaktuar, ku alternativat e paqarta dhe mosbesimi ndaj politikës rrezikojnë të jenë më vendimtarë sesa vetë rezultatet elektorale.

Përballë këtij realiteti janë pesë faktorë që nuk janë të rinj, por këtë herë janë më të organizuar, më të zhbirueshëm dhe më cinikë se kurrë. Janë faktorë që në pamje të parë duken si rregullat e lojës, por në të vërtetë janë vetë manipulimi i lojës.

Së pari, kemi pazarin e opozitës. Jo opozitës që lufton për pushtet, por opozitës që negocion për karrige. E ashtuquajtura opozitë është bërë pjesë e sistemit, një karton rezerves që hyn në lojë sa herë lojtari kryesor (Rilindja) lodhet pak. Nëse dikur Lulzim Basha bërtiste me megafon para Kryeministrisë, sot ai hesht me një buzëqeshje plastike jashtë selisë blu, ndërkohë që kandidatët e opozitës nëpër bashki janë po ata që deri dje firmosnin për qeverinë. Partitë opozitare janë kthyer në zyra punësimi për militantët që kanë mbetur jashtë sistemit të ndarjes. Opozita nuk po kërkon të rrëzojë Ramën, po kërkon të bëhet pjesë e Ramës. Populli e di këtë dhe thjesht pret momentin të tregojë me votë ose me neveri.

E dyta, presioni mbi administratën publike është bërë mjet apo edhe armë elektorale këtë 11 Maj . Në çdo zgjedhje, qeveria ka një “armatë” punonjësish të shtetit që nuk shkojnë më në punë për të shërbyer qytetarët, por për të mbledhur vota. Shefat e institucioneve lokale kanë kthyer zyrat në shtabe elektorale. Kush nuk del në terren për “kandidatin tonë”, i rrezikohet vendi i punës. Kush s’pranon të çojë lista votuesish, nuk merr bonusin. E vetmja gjë që mungon është që tua vënë votën në dorë me zarfe, siç bënin dikur në komunizëm, sepse realisht s’kanë më nevojë, frika funksionon më mirë se rryshfeti.

Faktori i tretë, më i rrezikshmi, është drejtësia selektive. SPAK ka prezantuar strtegjinë për fushatën zgjedhore për të të vëzhguar nga afër kandidatët, por duke sikur arrestimet bëhen me orar elektoral dhe me kalkulim politik.

Ata që janë “të djegur” ose s’kanë më leverdi për sistemin, bien si domate të kalbura. Por ata që kanë ende lidhje në kupolën e pushtetit, përmenden në dosje, por nuk preken. Janë të mbrojtur. Sepse drejtësia në Shqipëri, edhe pse po sponsorizohet me miliona euro nga jashtë, vazhdon të funksionojë si instrument presioni dhe jo si garanci llogaridhënieje. Ose një vetëm në shpatë siç e quan edhe vetë Rama, e pafuqishme përballë të gjithëve.

Në këtë klimë, çdo arrestim përpara zgjedhjeve nuk sjell pastrim, por thjesht spostim të lojtarëve brenda të njëjtit klub. Ndërkohë populli, që i ka parë të gjithë këta duke bërë pazare, nuk ka më durim për spektakle me pranga dhe komunikata. Ka nevojë për përgjegjësi reale. Dhe këtë drejtësia, për fat të keq, nuk po e jep.

Në horizont kemi një tjetër gjëmë apatinë e votuesit shqiptar, që është kthyer në faktor vendimtar. Kur pushteti është i korruptuar, opozita është e diskredituar dhe drejtësia është e kapur, qytetari i zakonshëm nuk sheh më arsye për të votuar. Ky është shansi i artë i sistemit: sa më pak njerëz të votojnë, aq më e lehtë është manipulimi. Nëse 30% e shqiptarëve dalin në votime, partitë kryesore kanë mbaruar punë që në drekë. Ndaj pushteti nuk ka më nevojë të fitojë zemrat e popullit, mjafton që t’i mpijë ato. Në këtë vend, pasiviteti është bërë forma më e përhapur e revoltes. Por një revoltë që nuk shprehet, është një leje për vazhdimin e të njëjtës rrënim.

Së fundi, zgjedhjet do të vendosen nga sistemi që ka mbjellë frikë, lodhje dhe mungesë shprese. Edi Rama nuk shkon më nëpër mitingje për të dhënë shpresë. Ai shkon për të mbajtur kontrollin. Ajo që ka ndodhur është më e thellë se çdo analizë teknike: Shqipëria është kthyer në një shtet që nuk pyet më popullin, por i jep popullit ndjesinë që gjithçka është e kotë. Ndaj zgjedhjet e 11 Majit nuk janë një garë për ndryshim, por një provë e radhës për të parë nëse sistemi mund të mbijetojë edhe një cikël tjetër pa ndryshim real.

Dhe në këtë mes, pyetja që mbetet pezull është kjo; a do të zgjohet populli, apo do të zgjasë edhe një herë dorën drejt kutisë, duke votuar jo për shpresë, por për hallin e radhës?

Sepse në fund, s’ka rëndësi kush fiton më 11 maj. Nëse humb populli, të gjithë të tjerat s'kanë vlerë./ Pamfleti

5 faktorët që do të vendosin zgjedhjet e 11 majit

Lini një Përgjigje