TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Shtator 2023, 20:25

Vijon “tallavaja” Beleri/ Kreu i OMONIA-s nuk i ndahet Facebook-ut nga burgu, sulmon Ramën për rezolutën e PPE

Shkruar nga Pamfleti

Vijon “tallavaja” Beleri/ Kreu i OMONIA-s nuk i ndahet Facebook-ut

Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë Fredi Beleri ndonëse është në burg duket se i ndjek me përpikmëri reagimet dhe lajmet në lidhje me betimin e tij si kryebashkiak, pasi herë pas here është aktiv në rrjete sociale duke reaguar.

Edhe pse është prapa hekurave dhe telefoni nuk lejohet të përdoret, Beleri e përdor ‘Facebook’-un si të jetë i lirë, por në fakt ka dyshime që nuk është ai personalisht por njerëz që përdorin emrin e tij për të replikuar.

I fundit është edhe reagimi në lidhje me deklaratat e Ramës një ditë më parë, ku kryeministri i ishte përgjigjur një thirrjeje të bërë nga Partitë Popullore Evropiane për lirimin e Fredi Belerit nga burgu.

Rama u shpreh se në Shqipëri vendosin gjykatat dhe sundon ligji. Këto gjykata janë themeluar me ndihmën e SHBA dhe BE, prandaj u shpreh Rama, hetimet janë të pavarura.

Por Fredi Beleri, nuk bie dakord me Ramën, duke u shprehur se kryeministri po disinformon ndërkombëtarët. Më tej, ai shton se nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën time për leje të veçantë për të bërë betimin. Gjykata ka thënë që kjo leje është kompetencë e Drejtorit të IEV Penale ku ndodhem.

Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është nomeklaturë e Këshillit të Ministrave dhe nuk është organ i pavarur. Arrestimi i tij nuk bazohet në asnjë vepër penale dhe është vetëm për qëllime politike të iniciuara nga kryeministri. Beleri thotë se po pengohet qëllimisht të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës, vetëm që në zyrë të hyjë dikush tjetër.

Postimi i plotë:

BELERI: ‼️ Kush (kë) po disimformon z. Rama?

SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK DHE NJË KUJTESË PËR KRYEMINISTRIN RAMA

Nisur nga artikulimet e këtyre ditëve të kryeministrit Rama të bëra publike në media lidhur me çështjen e betimit tim dhe nisur edhe nga postimi i tij i fundit në FB për gjoja përgjigjen e tij “në çdo kohë dhe çdo format” për Partinë Popullore të Europës EPP Group in the European Parliament, ju bëj me dije se:

Nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën time për leje të veçantë për të bërë betimin. Gjykata ka thënë që kjo leje është kompetencë e Drejtorit të IEV Penale ku ndodhem.

Me vendimin nr. 266 dt 26.06.223 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me kërkesën për Autorizim për të më lejuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Himarë dt 27.06.2023, ka arsyetuar se: “Sa më sipër, gjykata rezulton se në rrethanat konkrete nuk është ajo autoriteti kompetent që disponon për dhënien e lejes së kërkuar nga personi nën hetim”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në dy raste është shprehur jashtë afatit 24-orë të parashikuar në rregullore dhe në rastin e fundit nuk është shprehur fare, me qëllim që unë të mos ta ankimoj refuzimin në gjykatë.

Dihet botërisht se IEVP Penale dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve janë nomenklaturë e Këshillit të Ministrave në Shqipëri dhe nuk janë «organe të pavarura të drejtësisë».

Në Shqipëri ka disa precedentë të mëparshëm në të cilat është dhënë autorizim për leje të veçantë për deputetë të cilët kanë shkuar në Parlamentin Shqiptar për të votuar ligje apo për të bërë betimin ndërkohë që kanë qenë të paraburgosur me masën arrest me burg. (Rasti i deputetit Mark Frroku dhe rasti i deputetit Azgan Haklaj). Është e qartë se kur pushteti politik ka dashur, nuk ka patur asnjë kufizim apo pengesë ligjore që autorizimi për leje të veçantë të jepej.

Në zgjedhjet e 14 majit 2023 në bashkinë e Kukësit, Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, me vendimin nr. (332) 91 të datës 13 maj 2023, ka urdhëruar lejimin e votimit të 26 shtetasve të paraburgosur dhe burgosur, në qendrën e votimit nr 0647/01 të ngritur në Poliklinikën e Kukësit.

Këta zgjedhës, me leje të posaçme, më 14 maj 2023 janë shoqëruar nga organet ligjzbatuese pranë qendrës së votimit dhe kanë votuar rregullisht duke garantuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur.

Në këtë kontekst, mos dhënia e lejes për të bërë betimin, e përsëris , është kufizim i rëndësi të drejtave të mia kushtetuese dhe gjithashtu shprehje e një qëndrimi autokratik dhe antiligjor drejtëpërdrejt i Kryeministrit Rama, i cili nuk pranon dot “votën” e Himarës kundër tij në 14 maj.

Kryeministri Rama për fat të keq vijon të “furnizojë” opinionin publik dhe miqtë e Shqipërisë në botë me gënjeshtra dhe dezinformim lidhur me arrestimin tim dhe vijon gjithashtu nëpërmjet deklaratave publike të ushtrojë trysni mbi gjykatat me proklamata dhe fjalime pa lidhje për mua personalisht dhe mediat që kanë pasqyruar me realizëm faktet dhe rrethanat e çështjes në fjalë.

Në vijim, dua t’ju njoftoj që edhe unë, jam i angazhuar, që në çdo kohë dhe çdo mënyrë, të publikoj dhe informoj çdo organizëm ndërkombëtar përkatës për detajet e dosjes time hetimore dhe provat e manipuluara apo falsifikuara të administruara në të, çdo detaj të veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që u vunë haptazi në shërbim të Kryeministrit «për të arrestuar kandidatin për Kryetar Bashkie të Himarës, i shpallur publikisht armik personal i Kryeministrit Edi Rama për një javë rresht».

Më poshtë kopjet e përgjigjeve të IEPV dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kopje e vendimit nr. 266 dt 26.06.223 të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Fredi Beleri

6 Shtator 2023

Zyra e Avokatisë

beleri omonia facebook burg rama ppe

Lini një Përgjigje