Një grup deputetësh të opozitës janë parë sot teksa kanë dalë nga pallati ku jeton ish-kryeministri Sali Berisha, në arrest shtëpie prej 30 Dhjetorit 2023 dhe i marrë i pandehur tashmë nga SPAK për “korrupsion pasiv” në lidhje me dosjen “Partizani”.
Grupi i Partisë Demokratike është parë teksa dilnin nga godina, kurse makinat ishin të parkuara në rrugicë. Mes atyre që u panë ishin kreu i grupit Gazment Bardhi, deputetët Flamur Noka dhe Edi Paloka, Agron Gjekmarkaj, Agron Gjekmarkaj dhe Luçiano Boçi.
Takimi i tyre qartazi është bërë pas zhvillimeve më të fundit dhe dënimit me 1 vit burgim të deputetit Ervin Salianji, teksa Apeli i Tiranës la në fuqi vendimin e shkallës së parë, për kallëzim të rremë, në lidhje me dosjen "Babale".
Sipas Kodit të Procedurës Penale takimi i një personi nën arrest shtëpiak me persona të tjerë është i ndaluar pa lejen e Prokurorisë dhe Gjykatës.
Kjo nuk është hera e parë që Berisha e thyen urdhrin e SPAK dhe GJKKO, teka edhe më parë ka marrë takime me përfaqësues të tjerë, përfshi edhe të huaj, por asnjëherë nuk është proceduar për këto shkelje shtesë.
Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar sërish për vendimin e Gjykatës së Apelit e cila e dënoi me 1 vit burg për çështjen "Babale".
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Salianji shkruan se po bëhen gati për ta izoluar, por thekson se nuk do t'ia dalin.
Më tej, deputeti demokrat shprehet se ky është një moment i vështirë për shtetin e së drejtës e sundimin e ligjit, për demokracinë. Megjithatë thekson se asgjë nuk është mbyllur dhe se atë që e konsideron si “përpjekje të ulët nën brez” nuk do ndalojë demokratët në një përpjekje për ta bërë më të mirë Shqipërinë.
Lini një Përgjigje