
Është zbardhur shkresa e Prokurorisë së Tiranës për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, që e dënoi me 1 vit burg nën akuzën e kallëzimit të rreme.
Urdhri për ekzekutimin e vendimit i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë, Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, Gjykatës së Tiranës dhe deputetit Ervin Salianji.
Në shkresë thuhet se Ervin Salianji do ta kryejë dënimin në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.
Ndërkohë në orën 13:00, Partia Demokratike ka njoftuar se Ervin Salianji do të mbajë konferencë me gazetarët në selinë e Partisë Demokratike.
Më herët sot, Grupi Parlamentar i PD i kërkoi Kuvendit mbledhje urgjente të Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e rastit të Salianjit, por mësohet se Kuvendi nuk do të mblidhet, pasi Kushtetuta e përcakton qartë procedurën që ndiqet në rastin kur kemi një dënim të formës së prerë.
Salianji, pas këtij vendimi, humbet mandatin e deputetit dhe referuar ligjit të dekriminalizimit, nuk e ka më të drejtën të kandidojë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Dokumenti është firmosur nga prokurorja e Tiranës, Elona Algora.



Lini një Përgjigje