Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar për 3 vakancat për prokurorë e SPAK.
Ambasada e SHBA thotë po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët prokurorë që aplikojnë për tre vendet e fundit bosh në SPAK.
Në reagimin e saj, Ambasada thekson se për tre vendet vakante duhet të përzgjidhen prokurorët më të kualifikuar dhe të guximshëm që do të luftojnë korrupsionin në nivele më të larta.
‘Ambasada e SHBA po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët prokurorë që aplikojnë për tre vendet e fundit bosh në SPAK.
Shtetet e Bashkuara presin që ky proces kyç të çojë në përzgjedhjen e prokurorëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të guximit, profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe mbron sundimin e ligjit. SPAK mbetet një pjesë kritike e asaj përpjekjeje.’, njofton ambasada e SHBA.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vlerësuar tetë prokurorët kandidatë për tri vendet vakante në SPAK, duke vendosur edhe datën e intervistës së tyre.
Në mbledhjen e 1 dhjetorit, tetë kandidatët u vlerësuan nga Këshilli me kualifikim të lartë dhe me nga 7 pikë në lidhje me 2 vlerësimet e fundit profesionale.
Këshilli vendosi datën 7 dhjetor, për intervistat me kandidatët duke filluar nga ora 9.00 ku procedura e prezantimit dhe pyetje- përgjigjeve do jetë jo më shumë se 30 minuta për çdo kandidat.
Pas prokurorit të Vlorës Albert Kuliçaj dhe Olsi Dados, në garë u regjistrua kryeprokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi i cili pendoi Artan Tafanin, ushtarin e Laert Haxhiut.
Një tjetër drejtuese rrethesh që synon emërimin në SPAK është Anita Jella nga Durrësi. Emrat e tjerë që kanë shprehur interes deri tani janë prokurorët Pali Deçolli, Bledar Maksuti, Ndini Tavani dhe Sonila Muhametaj.
I pari që kërkoi që të jetë pjesë e SPAK ishte Albert Kuliçi, prokuror në Prokurorinë e Tiranës, më pas Ols Dado, aktualisht i komanduar në SPAK, Kreshnik Ajazi, Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Sonila Muhametaj, nga Prokuroria e Tiranës, Pali Deçolli, nga Prokuroria e Durrësit, Bledar Maksuti, nga Prokuroria e Tiranës, Anita Jella Drejtusja e Prokurorisë së Durrësit, dhe Ndini Tavani, nga Prokuroria e Tiranës.
Kriteret për të qenë pjesë e SPAK janë të caktuar nga ligji për prokuroritë në Republikën e Shqipërisë. Ata duhet të kenë mbi 10 vite që ushtrojnë detyrën e prokurorit, të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të kenë kaluar me vendim të formës së prerë procesin e vettingut.
Po ashtu prokurorët do të vlerësohen dhe për aftësitë e tyre profesionale dhe çështjet që kanë hetuar dhe kanë përfaqësuar akuzën në gjykatë.
3 prokurorët e rinj të SPAK që do të plotësojnë organigramën e Prokurorisë së Posaçme do të prezantojnë platformat e tyre para KLP. Do të jenë anëtarët e këshillit që do të vendosin se kush do t’i bashkohet trupës së 17 prokurorëve të SPAK./ Pamfleti
Lini një Përgjigje