
Janë zbardhur emrat e drejtorëve të Bashkisë së Durrësit, të cilët ditën e sotme kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.
Ky 'detyrim' për të dhënë dorëheqjen erdhi pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në bashkinë e Durrësit, i cili ashtu sikurse dhe në bashkitë e tjera të vendit, Vlorë e Fier, kërkoi që drejtorët të linin postet e tyre.
Të gjithë drejtorët, i kanë vendosur në tryezë kryebashkiakes Emiriana Sako shkresën e tyre të dorëheqjes. Mësohet se brenda kësaj bashkie është ngritur një komision i përbërë nga kryetarja dhe disa deputetë të qarkut Durrës, të cilët do të vendosin në “sitë” të gjithë drejtorët me qëllim për të vendosur se kush prej tyre do të vijojë të qëndrojë në detyrë dhe kush jo.
Pas kësaj faze, pritet të nisë edhe procesi i ristrukturimit për drejtorët rajonalë dhe institucionet e tjera në varësi të pushtetit vendor.
Lista e drejtorëve të Bashkisë së Durrësit që kanë dhënë dorëheqjen:
Roni Shqiopa: Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore
Meme Xhaferaj: Drejtoria e Shërbimit Social
Ardian Gurra: Drejtoria e Arsimit, Kulturës, Sportit, Rinisë dhe Komuniteteve Fetare
Oneda Deliallisi: Drejtoria e Auditit të Brendshëm
Ermal Lufo: Drejtoria Ekonomike
Ardian Iljazaj: Drejtoria e Shërbimeve
Valbona Qiriako: Drejtoria e Buxhetit
Lorenc Facja: Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike
Lorenc Smajli: Drejtoria e Turizmit
Dhurata Gjoka: Drejtoria e Burimeve Njerëzore
Robert Dervishi: Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit
Alneida Rroshi: Drejtoria Ligjore.
Kujtojmë se përgjatë ditëve të fundit kryeministri Edi Rama ka nisur një “tur” në të gjitha bashkitë e vendit.
Fillimisht u ndal në atë të Vlorës e më pas vazhdoi me Fierin e Durrësin. Kryeministri ka theksuar nevojën për energji dhe prurje të reja në administratë, si e vetmja mënyrë për t’u qasur sfidave të kohës.
Vala e shkarkimeve përfshiu fillimisht Vlorën, ku u dorëhoqën 21 drejtues institucionesh në varësi të bashkisë, pas kritikave të ashpra të kryeministrit që lidhen me pastrimin e qytetit, zaptimin e hapësirave publike dhe shërbimet ndaj qytetarëve që socialistëve iu besuan mandatin e katërt.
Lini një Përgjigje