TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2025, 22:08

Furtuna në bashki fut në ankth ministrat, në shtator pritet ristrukturim total i qeverisë!

Shkruar nga Pamfleti

Furtuna në bashki fut në ankth ministrat, në shtator pritet

Pas 12 vitesh, tani e kuptoi se ka ‘tokë të xanun’: Rama i shpall luftë sistemit që ndërtoi vetë...

Edi Rama ka ndezur motorët për një sezon të ri politik, duke nisur një fushatë agresive shkarkimesh në pushtetin vendor, që duket se është vetëm preludi i një lëkundjeje më të madhe që po përgatitet në strukturat qendrore të qeverisjes.

Pas kërkesës publike për dorëheqje drejtoreshës në Vlorë, të njëjtat skena u përsëritën në Durrës e Fier dhe sinjalet janë të qarta: spastrimi sapo ka nisur.

Kryeministri ka paralajmëruar një reformë të thellë për lirimin e hapësirave publike, për kontrollin e territorit, ujin e pijshëm, shëndetësinë dhe deri te barnat dhe nafta. Retorika e tij është e ashpër, duke folur për “tokat e xanuna” dhe për një administratë lokale që është kthyer në aleate të abuzimit, ku policitë bashkiake dhe inspektoriatet janë bërë pjesë e problemit, jo zgjidhjes. “Toleranca ndaj tokave të xanuna… do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore”, deklaroi Rama sot.

Por teksa flet për “tokat e xanuna” dhe paaftësinë e pushtetit vendor, shumëkush pyet: pse tani? Pse u kujtua Kryeministri pas 12 vitesh në pushtet se shërbimet publike janë të kalbura, inspektoriatet të kapura dhe drejtuesit vendorë të paaftë? A nuk ishin pikërisht emërimet politike të qeverisë së tij, ministrat dhe drejtorët që i udhëhoqën këto institucione për një dekadë? Duket se fushata e re e “reformës” është edhe një tentativë për të hedhur fajin poshtë, për të larë duart nga përgjegjësitë e akumuluara dhe për t’u shfaqur sërish si “pastruesi” i sistemit që vetë ndërtoi.

Në vend që të kemi një reflektim për dështimet e mëparshme, kemi një spektakël të ri spastrimesh, që nëse nuk shoqërohet me transparencë dhe llogaridhënie, rrezikon të mbetet vetëm si një manovër politike për të mbuluar konsumimin e qeverisë në vigjilje të një mandati të katërt.

Por nën këtë retorikë reformiste, po shihet gjithnjë e më qartë se përgatitet një valë spastrimesh që do të përfshijë nivelet më të larta të ekzekutivit. Zërat për një ristrukturim ministrish, ndryshim portofolesh dhe largim të shumë ministrave dhe zëvendësministrave janë gjithnjë e më të fortë. Me gjasë, shtatori do të sjellë jo vetëm ndryshime, por një tërmet të vërtetë politik që do të rikompozojë fytyrën e qeverisë Rama.

Burime të brendshme flasin për një filtrim të thellë të emrave që kanë krijuar konsum publik ose që janë lidhur me skema klienteliste. Lista e “të padëshiruarve” thuhet se është pothuajse gati, ndërsa kreu i qeverisë po përdor muajt e verës për të vënë në provë dhe për të matur besnikërinë dhe performancën e bashkëpunëtorëve të tij. Ndërsa opozita është në krizë të thellë, Rama duket se po bën “spastrimin e shtëpisë” për t’u përgatitur për fazën e re të mandatit të katërt dhe zgjedhjet e pjesshme vendore. /Pamfleti

Lini një Përgjigje