
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka ironizuar kandidatin e PD-së për deputet në Lezhë, Gjin Gjonin. Ky i fundit kishte deklaruar se do të denonconte në SPAK shkelje të Kodit Zgjedhor.
Me anë të një positmi në rrjetin e tij social “Facebook”, Manja i kërkon Gjonit që të mos merret me denoncime të kota por të vijojë punën në fushatë me plan të qartë për të bindur qytetarët që ta votojnë. Sipas tij, akuzat e pabaza dhe balta janë të kota.
“Pyetja është shumë e thjeshtë: do zgjedhësh të merresh me kallëzime, baltë dhe akuza boshe, apo do bësh fushatë qytetare, me ide, me program, me vizion për Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën? Sepse nëse zgjedh të parën, përgjigjen do ta marrësh më 11 maj — nga ata që ti i quan “të dorës së tretë”, por që për ne socialistët janë qytetarë të dorës së parë të Qarkut Lezhë”, shkruan Manja.
Postimi i plotë i Manjës:
Gjin, Lezha ka nevojë për punë dhe jo për kallëzime! Reagim ndaj deklaratës së kandidatit për deputet të PD - Lezhë, Gjin Gjoni!
Mesa duket, pas Agronit, edhe Gjini ka marrë “vesin” e reagimeve me statuse në rrjete sociale. Por në ndryshim nga Agroni, që me “profesorllëkun” e tij, duke kërcyer vallen e Tropojës dhe duke cituar At’ Fishtën e At’ Zef Pllumin, e nxori në listë të hapur Gjinin, Gjini nga ana e tij po luan kartën e “profesorllëkut penal”, duke kapur në dorë herë Kodin Penal, herë Kodin Zgjedhor.
Unë për këdo që në vend të takimeve me banorët për hallet dhe nevojat e tyre, zgjedh të bëjë fushatë me kallëzime penale dhe statuse frikësuese, kam një përgjigje të fundit — sepse herën tjetër nuk do harxhoj kohën e qytetarëve me pallavrat e atyre që s’kanë çfarë ofrojnë tjetër, përveç llafeve dhe shpifjeve!
Por meqë sot si ditë pushimi Agroni, radhën për statuse e për kallëzime në SPAK, ja paska lënë Gjinit, këtij të fundit po ja kthej një xhevap troç, siç i ka hije një kundërshtari politik:
Gjin, merru me fushatë qytetare dhe lëri kallëzimet penale për show mediatik. Ligjin zgjedhor e njohim më mirë se ti, sepse kemi një jetë që merremi me zgjedhje dhe me zbatim të rregullave zgjedhore.
Që në krye të herës po ta them: kallëzimet e tua nuk frikësojnë askënd që punon me ligj dhe transparencë! Dhe nëse nuk e ke mësuar deri tani Gjin se helbete fushatën e parë e ke, ngulite mirë në mendje se: malsorit i ka hije fjala dhe kuvendi, jo shpifja dhe balta!
Në vend që të sulmosh punët e mira që po bëhen në Lezhë — sipas ligjit, me vendime e miratime nga institucionet përkatëse — merre mundimin dhe informohu në KQZ për rregullat e fushatës. Sepse këta që të këshillojnë, po ta bëjnë me hile. Po të hedhin drejt humbjes — dhe bashkë me votat, do humbasësh edhe respektin e atyre pak demokratëve që ende të besojnë.
Pyetja është shumë e thjeshtë: do zgjedhësh të merresh me kallëzime, baltë dhe akuza boshe, apo do bësh fushatë qytetare, me ide, me program, me vizion për Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën? Sepse nëse zgjedh të parën, përgjigjen do ta marrësh më 11 maj — nga ata që ti i quan “të dorës së tretë”, por që për ne socialistët janë qytetarë të dorës së parë të Qarkut Lezhë!
I madh e i vogël në Shqipëri e di që mandati i katërt i Edi Ramës më 11 maj është punë e kryer. Dhe qytetarët e Lezhës, Kurbinit e Mirditës, si njerëz të mençur, më 11 maj nuk do t’i shkojnë nga pas as partisë së Agronit, as fushatës së kallëzimeve të Gjinit!
Lini një Përgjigje