
Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, ka mbërritur në GJKKO ku do të zhvillohet një seancë në lidhje me masën e sigurisë.
Në fjalën e saj për media, Kryemadhi tha se do të shkojë sot në GJKKO për të kuptuar se kush e ka nxjerrë dosjen, duke shkelur sipas saj sekretin hetimor.
Ajo u shpreh se drejtësia nuk është ajo që kanë kërkuar shqiptarët dhe janë investuar ndërkombëtarët, por është drejtësi e propagandës e Ramës.
“Po shkoj sot për t’u paraqitur përballë një sistemi drejtësie të kastruar, në qoftë se inteligjencën nuk e kanë aq të zhvilluar sa të kuptojnë se çfarë do të thotë fjala kastruar, për t’u treguar dhe për të kërkuar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media që ka nxjerrë sekretin hetimor. Pra, për të kuptuar që drejtësia e Edi Ramës nuk është drejtësia që kërkojnë shqiptarët, nuk është drejtësia e partnerëve tanë për të cilën kanë shpenzuar miliona dollarë dhe miliona euro. Do shikojmë dhe fytyrat si i kanë, a do e përballojnë dot apo jo”, u shpreh Kryemadhi.
SPAK arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit.
Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.
Ndërkohë, 2 dosjet ndaj Metës, Cez-Dia dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në 1 hetim.
Lini një Përgjigje